Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi shprehet se çamët nuk janë të përfaqësuar në administratën e shtetit shqiptar dhe për këtë fajëson ndikimin grek në Shqipëri në diskriminim që u është bërë komunitetit çam që nga regjimi i Hoxhës deri më sot.
Këto deklarata, Idrizi i ka bërë ndërsa ishte i ftuar në Forumet UET ku shtoi se është pikërisht shteti fqinj që ndikon në politikën shqiptare, që çamët të mos përfaqësohen ashtu siç duhen.
“Nga viti 1960 ku për herë të parë shqiptarët e çamërisë u stigmatizuan deri në marxhinalizim për shkak të nevojës që kishte diktatori Enver Hoxha që kjo shoqëri të mos kërkonte të drejtat e saj. Është moment kur Shqipëria doli nga marrëveshja e Varshavës, regjimi komunist i Shqipërisë ndihej më tepër i kërcënuar nga jugu i Shqipërisë për shkak të ligjit të luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë, për shkak të luftërave në kufi dhe pikërisht që ky komunitet të mos bënte atë që po bën sot u mbajt në kufijtë e marxhinalizimit.
Deri para 4 vitesh në administratën e shtetit shqiptar nuk ka patur asnjë nga shqiptarët e Çamërisë të përfaqësuar, dhe në mos gaboj para 3 ose 4 viteve ka qenë një zv/ministër i Kulturës, zoti Abaz Hado.
Presioni Greqisë, duart e shtetit grek me prezencë kudo, mos harroni që deri para disa vitesh si rregull të gjithë reporterët e Shqipërisë në BE ishin grekë.
Kur për herë të parë një shqiptar i Çamërisë u bë nën/kryetar i Kuvendit të Shqipërisë ne kemi një notë proteste zyrtare nga shteti grek.
Imagjinoni deri ku shkonte arroganca dhe pretendimi. Padyshim që ne ndjejmë prezencën dhe presionin e shtetit grek karshi mazhorancave të sotme dhe të djeshme për prezencën tonë në qeveri. Gjithsesi ne kemi qenë shumë të kujdesshëm dhe padyshim që kemi shkëmbyer forcën e kartobave, dhe peshën e PDIU-së në vendimmarrje në avancimin e kauzave tona, të cilat mendoj se janë kauza të drejta dhe kjo është arsyeja pse nëse para disa kohësh ishte e vështirë të flitej për çështjen e Çamërisë në tryezë midis palëve, sot jemi në një moment tjetër, kur të gjitha forcat politike çështjen çame e kanë në program. Për herë të parë kjo qeveri e bëri pjesë të programit qeveritar, është në dosjen diplomatike midis çështjeve që duhen diskutuar, por fatmirësisht është bërë pjesë e axhendës së Brukselit si nevojë për t’u ulur në tryezë për një çështje serioze e cila nuk mund të anashkalohet më.”, deklaroi Idrizi. (D.D/Shuplaka)