Rama dhe Meta padyshim që bënë lëvizjen e tyre, ditë më parë kur kërkuan një përfaqësues të Partisë Popullore Europiane, me qëllim që të ndihmonte në një negociatë të mundshme mes Bashës dhe Ramës.
David McAllister është në Tiranë, por kjo nuk tregon asgjë. Madje Lulzim Basha është treguar i hapur për takim kokë më kokë me McAllister në orën 16:00, dhe ky fakt nuk jep asnjë garanci se do të ketë një negociatë mes tij dhe kryeministrit.
Demokratët janë të qartë dhe të prerë dhe i janë futur një rruge vetëm me një drejtim: qeveria teknike dhe dorëheqja e Ramës. Ashtu si socialistët të vendosur se zgjedhjet do të mbahen në 18 qershor me Ramën kryeministër.
Askush nuk mund të parashikojë se ç’rezultat do sjellë negociata e McAllister dhe nëse ai do ta bindë Bashën të rishikojë kërkesën e tij, të pamundur në sytë e socialistëve. Ashtu si askush nuk mund ta parashikojë me saktësi nëse Rama do bindet të japë dorëheqjen për të shkuar drejt kërkesës së demokratëve.
A do ketë sot ”tym të bardhë” nga oxhaku i politikës shqiptare që prej 2 muajsh është në ngërç politik, apo McAllister do jetë ndërkombëtari i radhës, ashtu si shumë të tjerë para tij?! (V.G/SHUPLAKA)