Investimet për gazsjellësin TAP kanë sjellë rreth 40% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte për vitin 2016, duke amortizuar tkurrjen e ndjeshme të industrisë nxjerrëse…
Investimet e huaja arritën në 983 milionë euro në vitin 2016, duke arritur në një nivel rekord, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Në raport me vitin 2015, Investimet e Huaja Direkte janë rritur me 10%.
Sipas tremujorëve, pas një gjysme të parë të vakët, investimet e kanë marrë veten, si rrjedhojë e fillimit të punës nga gazsjellësi TAP. Niveli më i lartë është konstatuar në tremujorin e tretë, me 303 milionë euro (shih grafikun).
Banka e Shqipërisë ka publikuar për herë të parë edhe të dhëna të detajuara tremujore lidhur me shtetet nga vijnë investimet kryesore dhe llojin e aktivitetit ekonomik të cilit i përkasin.
Për vitin 2016, sipas të dhënave, shteti i origjinës për investitorin më të madh me 596 milionë euro, ose 60%, nuk jepet për arsye konfidencialiteti (këtu përfshihet kryesisht TAP, që është një projekt konsorcium i shumë shteteve). Investitori i dytë është Holanda, me 97 milionë euro, i treti Turqia, me 66 milionë euro dhe i katërti Greqia me 46 milionë euro.
Sipas aktivitetit ekonomik, sektori që ka tërhequr më shumë investime është ai i energjisë dhe gazit, që i referohet kryesisht investimeve nga gazsjellësi TAP, që filluan në vitin 2016 dhe pritet të kulmojnë në 2017-n. Pjesën më të madhe të investimit të gazsjellësit e zë vlera e tubave, që futen nën tokë dhe nuk kanë vlerë të lartë të shtuar në ekonomi. Investimet në energji dhe gaz janë rritur me 183%, duke arritur në 369 milionë euro, ose gati 40% e totalit.
Rritja e investimeve në këtë fushë ka amortizuar tërësisht rënien e fluksit në industrinë nxjerrëse, me 71% me bazë vjetore në 2016-n. Si rrjedhojë e koniunkturës së pafavorshme të çmimeve të naftës dy vitet e fundit, investimet në industrinë nxjerrëse, që zinin peshën më të madhe ndaj totalit, ranë nga 504 milionë euro në 2014-n, 323 në 2015-n dhe vetëm 92 milionë euro në 2016-n, ose 9% e totalit, nga 58% që ishte kjo peshë në 2014-n.
Investimet në sektorët e tjerë ishin minimalë, si shërbimet financiare (kryesisht në kapitalin e bankave) me 76 milionë euro, nga 80 milionë euro një vit më parë dhe ato në pasuritë e paluajtshme me 50 milionë euro, që janë dyfishuar në raport me një vit më parë.
Edhe në 2017-n, investimet priten rekord, por…
Investimet e Huaja Direkte në vitin 2017 pritet të arrijnë nivel rekord në Shqipëri, si rrjedhojë e projekteve të mëdha, sipas agjencisë vlerësuese Standard & Poor’s (S&P). Në vlerësimin e fundit për Shqipërinë, S&P thotë se “duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e projektit TAP do të ekzekutohet në 2017, ne vlerësojmë se fluksi i
Investimeve të Huaja Direkte (IHD) do të arrijë në mbi 11% të PBB-së në 2017-n. Flukse të tjera hyrëse të investimeve të huaja janë të lidhura me sektorin e energjisë, veçanërisht projektet në ndërtimin e hidrocentraleve”.
Sipas tabelave të S&P, investimet në raport me PBB-në në 2017-n pritet të arrijnë në 11.2%, nga 9.5% në 2016-n, ndërsa më pas do të bien në 10% të PBB-së në 2019-2020.
Por S&P paralajmëron se kjo rritje po vjen si rrjedhojë e projekteve të mëdha dhe që vendi duhet të bëjë përpjekje për të tërhequr investime të tjera.
“Gjithsesi, ne shikojmë një rrezik që fluksi i madh i projektuar i IHD-ve mund të bjerë në vitet e ardhshme. Përmirësimi i mjedisit institucional do të ndihmonte duke tërhequr një bazë të gjerë të IHD-ve në vitet në vijim”, rekomandon S&P.
Sipas S&P dhe burimeve nga TAP, investimet në total në Shqipëri vetëm nga ky investim pritet të arrijnë në 1.5 miliardë euro.
Përqendrimi më i madh i tyre do të jetë në 2017-n, kur sipas burimeve nga TAP do të arrijnë në 400-450 milionë euro, shumë kjo që është e barabartë me gati gjysmën e investimeve të huaja që merr Shqipëria mesatarisht në një vit. (në 2015-n, IHD-të ishin rreth 890 milionë euro)./ Revista Monitor
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1466″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]
Discussion about this post