Numri në rritje i rasteve të dhunës me bazë gjinore bashkoi në Shkodër Aleancën Gjinore për Zhvillim dhe Qendrën për Popullsinë dhe Zhvillimin, në përpjekje për të nxitur autoritetet qendrore dhe loakle t’i kushtojnë më shumë kujdes buxhetit për çeshtjet e barazisë gjinore.
Drejtuesja e Aleancës Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti tha se duke u nisur nga bashkia e Shkodrës po analizohet buxheti i përgjithshëm për çështjet gjinore i të gjitha bashkive, si pjesë e një programi që ka nisur të zbatohet në të gjitha vendet e rajonit.
“Këtë vit, pra viti 2024, sipas buxhetit të qytetarëve dhe Ministrisë së Financave, 9 për qind e buxhetit të shtetit shkon për çështjet e barazisë gjinore. Mendoj se janë 43 programe buxhetore, në nivel ministrie, që mbulojnë çështje të barazisë gjinore. Ne si organizatë jemi duke i kërkuar këto programe dhe çfarë pëfaqësojnë ato për të sjellur një raport më të detajuar në nivel vendi”, thotë ajo.
Megjithë numrin e lartë të programeve që mbulojnë çështjet gjinore, sipas drejtueses së Aleancës Gjinore për Zhvillim, rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen, çka kërkon një analizë më të kujdesshme të zbatimit të këtyre programeve.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë raportuar në polici 1,197 raste të dhunës në familje, ndërsa 627 persona kanë marrë urdhër mbrojtjeje.
Ndërsa gjatë vitit 2022-2023 janë afro 11 mijë raste të denoncuara për dhunë në familje, ku 50 për qind e tyre janë shoqëruar me urdhër mbrojtje.
“Ka problematikë të jashtëzakonshme. Një rast i dhunës në familje, ndaj gruas dhe ndaj fëmijëve, është shumë kompleks. Ka problematika nga më të ndryshmet përfshirë problematikat ekonomike, zgjidhjes së banesës, punësimit apo edhe çështje të shëndetit mendor dhe shëndetit në përgjithësi të grave dhe fëmijëve të përfshirë në rastet e dhunës”, thotë zonja Arqimandriti.
Pjesa më e madhe e grave që janë viktima të dhunës në familje kërkojnë ndihmë dhe mbështetje në strukturat bashkiake, të cilat kanë fonde dhe kapacitete të kufizuara për mbështetjen e tyre me ndihmë ekonomike, punësim apo strehim, megjithëse legjislacioni shqiptar parashikon mekanizma mbrojtës dhe programe mbështetjeje për viktimat e dhunës në familje.
Nga 61 bashki që ka vendi, vetëm në 12 prej tyre janë ngritur qendra strehimi për gratë e dhunuara. Sipas drejtueses së Qendrës për Popullsinë dhe Zhvillimin, Elona Gjebrea, është e rëndësishme që bashkitë t’i kushtojnë më shumë vëmendje buxhetit të përgjithshëm për çështje gjinore, duke pasur parasysh rastet në rritje të grave të dhunuara apo trafikuara.
“Pavarësisht se tashmë flasim për koncepte gjinore, modele gjinore, të cilat kuptohen shumë mirë dhe aplikohen, siç është rasti i përfshirjes së këshilltareve bashkiake, kur vjen puna në buxhet ka nevojë për pak më shumë vëmendje. Në fakt, edhe analiza buxhetore nuk është një gjë e lehtë. Bëhet nga ekspertë që janë të trajnuar në këtë fushë. Kështu që, mendoj që me ekspertët e fushës ne do të jemi në gjendje që problematikat e vogla të adresohen ashtu siç duhet”, thotë zonja Gjebrea.
Megjithëse raportimet e policisë dhe të mediave flasin për raste thuajse të përditshme të dhunës me bazë gjinore, sipas ekspertëve, pjesa më e madhe e rasteve nuk raportohen për shkak të mentalitetit, mungesës së mbështetjes dhe perspektivës që ndjejnë gratë e dhunuara./voa