Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror për Tokën, ku u miratua Udhërrëfyesi për Digjitalizimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për periudhën 2025-2028.
Ky hap përbën një avancim të rëndësishëm drejt garantimit të sigurisë juridike dhe administrimit modern të pronës në vend.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi se ky proces do të vërë pikën mbi pasigurinë dhe zvarritjet në fushën e pronës, duke ndërtuar një sistem të drejtë, transparent dhe plotësisht digjital, në përputhje me standardet më të mira europiane.
“Tokës i japim drejtësi, qytetarëve siguri”, deklaroi ministri, duke nënvizuar rëndësinë e këtij projekti për avancimin ligjor dhe administrativ të Shqipërisë.