Presidenti i vendit Ilir Meta ka lëshuar një tjetër mesazh për shqiptarët, e veçanërisht të rinjtë dhe të rejat që votojnë për herë të parë, të cilët i fton të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës.
Duke ndarë një foto nga tubimi i 2 Marsit të 2020-tës, që u quajt manifesti në mbrojtje të Kushtetutës, Meta thotë se të rinjtë dhe të rejat janë enegjia që i duhet vendit për të ecur përpara.
“Të dashur të Reja dhe të Rinj, të cilët votoni për herë të parë! Shqipëria i ka sytë te Ju! Pjesëmarrja Juaj masive në zgjedhje dhe vota juaj më 25 Prill është oksigjen për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.
Është Ripërtëritja dhe Energjia, që i duhet Shqipërisë të prekur rëndë nga shpopullimi, për t’u ringritur dhe ecur drejt Europës. Është vendosmëria për përkushtim ndaj vendit me pasion, integritet dhe dashuri !
Është e ardhmja juaj, në Shqipërinë tuaj!”, shkruan Meta në postimin e tij në rrjetet sociale.
Më herët presidenti do të shkruante një tjetër postim, ku bënte thirrje që procesi zgjedhor të mbahej i qetë dhe pa incidente.
Postimi i Metës:
Të dashur qytetarë, nëna, baballarë, motra, vëllezër dhe ju të reja dhe të rinj! Mbeten vetëm 48 orë, kur me votën tuaj ju do të përcaktoni vullnetin e Sovranit për drejtimin e vendit. Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve.
Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit. Prandaj, në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.
Një thirrje të posaçme, u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën.
E ritheksoj, që këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme! Sepse ato janë jo vetëm për 4 vite, por për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Prandaj, të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë.
Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik. Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë! Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve! Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani!