Shqipëria mori pjesë në Samitin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që shpalli Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e Palestinës dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndjekë hapat e saj.
Samiti u thirr jashtë radhe nga Turqia, që mban presidencën e radhës të organizatës. Samiti ishte një kundërpërgjigje ndaj vendimit të presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
“Ne nuk do të pranojmë asnjë rol të Shteteve të Bashkuara në procesin e paqes. Vendi tregoi se është plotësisht i njëanshëm në favor të Izraelit”, tha Abbas.
“I ftoj të gjitha kombet që e vlerësojnë ligjin ndërkombëtar dhe drejtësinë, ta njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e pushtuar të shtetit palestinez. Ata që luftojnë me miqtë e tyre harrojnë të luftojnë armiqtë. Neve na lipset një zgjidhje diplomatike. Duhet t’ia ndalojnë Izraelit gllabërimin e tokës palestineze nga dita në ditë. Dhe nuk duhet t’i pranojmë politikat e sjelljen që ai na afishon përditë”, tha Erdogan, shkruan Top Channel.
Ftesa për këtë samit iu dërgua të gjithë kryeministrave dhe ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të organizatës.
Burimet saktësojnë se, për shkak të urgjencës në organizimin e samitit dhe përplasjes me axhendën e udhëheqësve shqiptarë, Shqipëria u përfaqësua në nivel ambasadori.
Shqipëria është anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që prej vitit 1992. Të 57 anëtarët e organizatës, mes të cilëve edhe Shqipëria, përmes një deklarate të përbashkët thanë se mbeten të angazhuar për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, me formimin e dy shteteve, dhe u kërkuan vendeve të tjera që të njohin shtetin e Palestinës dhe Jeruzalemin Lindor, si kryeqytetin e tij të pushtuar.
Izraelitët e pushtuan Jeruzalemin në vitin 1967, por sovraniteti i Izraelit mbi Jeruzalemin nuk u njoh asnjëherë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i kanë ambasadat në Tel Aviv.
Sipas Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, vendimi i presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit shënon tërheqjen e Uashingtonit nga roli i tij në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
(B.H/Faxweb)