Shqipëria njoftoi të shtunën një ndalim për një vit të TikTok, aplikacioni popullor i videove të shkurtra, pas vrasjes së një adoleshenti muajin e kaluar që ngjalli frikën mbi ndikimin e mediave sociale te fëmijët.
Ndalimi, pjesë e një plani më të gjerë për t’i bërë shkollat më të sigurta, do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, tha kryeministri Edi Rama pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesit nga i gjithë vendi.
“Për një vit, ne do ta mbyllim plotësisht atë për të gjithë. Nuk do të ketë TikTok në Shqipëri”, tha Rama.
Disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Belgjikën, kanë vendosur kufizime në përdorimin e mediave sociale për fëmijët. Në një nga rregulloret më të ashpra në botë që synon Big Tech, Australia miratoi në nëntor një ndalim të plotë të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Rama ka fajësuar mediat sociale, dhe TikTok në veçanti, për nxitjen e dhunës mes të rinjve brenda dhe jashtë shkollës, shkruan Reuters, lajm që është pasqyruar edhe nga CNN.
Vendimi i qeverisë së tij vjen pasi një nxënës 14-vjeçar u godit për vdekje me thikë në nëntor nga një nxënës tjetër. Mediat vendase kishin raportuar se ngjarja pasoi debatet mes dy djemve në rrjetet sociale. Në TikTok ishin shfaqur edhe video të të miturve që mbështesnin vrasjen.
“Problemi sot nuk janë fëmijët tanë, problemi sot jemi ne, problemi sot është shoqëria jonë, problemi sot është TikTok dhe gjithë të tjerët që po na marrin peng fëmijët”, tha Rama.
TikTok tha se po kërkonte “qartësi urgjente” nga qeveria shqiptare.
“Ne nuk gjetëm asnjë provë që autori ose viktima kishte llogari në TikTok dhe raportet e shumta në fakt kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë incident po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”, tha një zëdhënës i kompanisë.