Komisioni Europian ka miratuar “Programin 2016” për Shqipërinë, i cili parashikon një grant prej 89.7 milionë eurosh.
Ky vendim vjen një ditë pas miratimit të ligjit të Vettingut nga Gjykata Kushtetuese dhe mbështet në mënyrë specifike zbatimin e strategjisë së Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit.
“Programi ndjek politikën e zgjerimit “në fillim parimet” duke u fokusuar në fushat e shtetit ligjor, të drejtave themelore, qeverisjes së mirë, zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës. Ai mbështetet në programet 2014 dhe 2015 në kuadrin e Instrumentit për Asistencën Para-Anëtarësim (IPA II), që arrin në një total prej 649.4 milionë Euro për Shqipërinë gjatë periudhës 2014-2020. Programi mbështet në mënyrë specifike zbatimin e strategjisë së Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit, duke vazhduar programin e tij të asistencës teknike EURALIUS”, thuhet në njoftimin zyrtar të KE-së.
Ky programi mbështet gjithashtu edhe sektorin e transportit, si edhe sigurohet një asistencë financiare për shoqërinë civile dhe për mbështetjen e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet dhe agjencitë e BE-së. (D.D/Shuplaka)