“Shqipëria njeh Juan Guaidó si Presidentin e Përkohshëm të Venezuelës. Në emër të popullit të Shqipërisë i uroj Guaidos dhe venezuelianëve të guximshëm suksese në eliminimin e fuqive të paligjshme që e kanë kthyer vendin e tyre në ferr për popullin e vet. #Venezuela e lirë”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në Twitter, teksa rreshton qëndrimin e Shqipërisë krah SHBA-ve.
Venezuela është në kolaps politik dhe financiar. Udhëheqësi i Venezuelës, Nicolas Maduro, i ndërpreu marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi Uashingtoni njohu liderin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të vendit. Maduro u dha 72 orë kohë diplomatëve amerikanë që të largohen nga vendi i tij.
Të mërkurën, Guaido e shpalli veten president gjatë protestave masive antiqeveritare.
SHBA tha se “ish-presidenti Maduro” nuk ka më autoritet dhe i bëri thirrje ushtrisë që të mbështesë Guaidon. Deri më tani, ushtria i ka mbetur besnike Maduros, që njihet për pushtetin e tij dictatorial dhe të dhunshëm.
Ekonomia në Venezuelë është dobësuar nën qeverisjen e presidentit Maduro.
Inflacioni i lartë, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesa e gjërave bazë kanë bërë që miliona njerëz të ikin nga ky vend.
Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në një tubim të mërkurën, në kryeqytetin Karakas, në mbështetje të Guaidos, i cili është udhëheqës i Asamblesë Kombëtare.
Ai u tha turmave se protestat do të vazhdojnë “derisa Venezuela të çlirohet”.