Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në përgjigjet e tij ndaj pyetjeve që i drejtuan gazetarët e pranishëm në konferencën për shtyp, theksoi se LSI arriti një rezultat shumë pozitiv, për më tepër pasi fitoi opozitën e vërtetë, që nuk e kishte.
Duke premtuar se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të pranojë që Shqipëria të merret sërish nga bandat, ai siguroi se do të nisë e vazhdojë misioni për të çmontuar strategjinë kriminale.
“LSI është këtu para jush për të demaskuar dhe demonstruar shëmtimin e këtyre zgjedhjeve të arritura përmes strategjisë së terrorit, blerjes së votave. Në terren ekzistonte një tension dhe një strategji kriminale, me bashkëautor Policinë e Shtetit. Kemi evidentuar qartë mijëra raste, me dokumente që do i përcjell tek ndërkombëtarët për t’u njohur. Kemi informuar SHBA-të.
Nuk është ndonjë fatkeqësi. Kemi ditë e muaj përpara për ta ç’bërë. Shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë me strategjinë e terrorit dhe frikës.
LSi ka pasur një rezultat shumë pozitiv, por dhe rezultati më pozitiv është që vendi fitoi opozitën që nuk e kishte.
Në një klimë tjetër, në zgjedhje normale, rezultati do kishte qenë shumë herë më i lartë. Më së fundi, shqiptarët kanë një zë të vërtetë. Shqipëria ka parë edhe qeverisje të dështuara, të korruptuara, por një opozitë që nuk ekziston nuk e kishte parë. Vetëm një opozitë të vërtetë, sikurse LSI-ja përfaqëson është një lajm shumë i mirë për mua.
Rëndësi sot ka që të lexojmë këtë rezultat. Nuk kam asnjë komunikim me këtë çështje. Zoti Meta merr detyrën më 24 korrik. Rëndësia më e madhe është një dhe vetëm një, zëri është tashmë i fortë në parlament.
Ne kemi bërë vazhdimisht kritikë të vazhdueshme. Sot jemi çliruar nga detyrimet e mëparshme politike dhe do vazhdojmë misionin për të çmontuar këtë strategji. Ky vend nuk mund të merret për së dyti nga bandat. Do ketë një opozitë të vërtetë, jo të kapur.”, u shpreh kreu i LSI-së, Petrit Vasili.
(XH.A/SHUPLAKA)
Discussion about this post