Lartësia e Tij e Përndritur, Alberti II, Princi i Monakos, zhvillon një vizitë shtetërore në Tiranë
Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Lartësia e Tij e Përndritur, Alberti II, Princi i Monakos do të zhvillojë në datat 16-17 tetor 2018 një vizitë shtetërore në vendin tonë.
Lartësia e Tij e Përndritur, Alberti II do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta për të vijuar më pas me bisedimet dypalësh midis dy delegacioneve respektive dhe takimet me autoritetet më të larta në vend.
Gjatë vizitës në Shqipëri të Lartësisë së Tij të Përndritur, Alberti II, do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive të jashtme të të dy vendeve dhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert II të Monakos dhe Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës e Shoqatës “Pisha Flamur” për mbrojtjen e burimeve natyrore.