Nga Panajot Barka
Akti i shtatë rekruteve në repartin ushtarak të Mesollongjit të ushtrisë greke, të cilët rezultuan se ishin shqiptarë e që me vullnetin e tyre të lirë kërkuan të bëhen shtetas grekë, provokuan përsëri klimë konfrontuese në mjediset publike dhe politike të të dy vendeve. Në palën greke, edhe pse në menyrë të përmbajtur, vihen re qendrimet denoncuese ndaj këtij akti si të tillë me kërkesa për dënimin e autorëve. Në palën shqiptare shpaloset masiviteti për të dënuar qëndrimin grek duke e paraqitur Greqinë si shtet me kulturë raciste, nacionaliste, shkelëse të të drejtave të njeriut. Njëkohësisht bashkë me përpjekjet për të heroizuar të rinjtë në aktin e tyre kërkohet të ushqehet nacionalizmi shqiptar në dimensionin e tij antihelen.
Në palën greke, duke përsfshirë institucionet shtetërore me në krye ministrin e Mbrojtjes Kamenon, kërkohet që akti të mos tolerohet dhe të veprojë ligji. Nga ana tjetër, është e dukshme tendenca, civile dhe shtetërore, mediatike dhe intelektuale, që të mos i fryhet zjarrit që mund të përndez një urrejtje kolektive, sidomos ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Ajo që ngatërrohet në Shqipëri është fakti se manifestimi i simbolit etnik shqiptar nga të rinjtë rekrutë ndodhi në një repart ushtarak dhe jo në jetën civile. Në një repart ushtarak, qoftë të Greqisë, të Shqipërisë, të Amerikës, të Kanadasë etj rekruti ushtarak betohet para flamurit kombëtar të atij shteti për të mbrojtur dhe me jetën e vet interesat kombëtare të atij shteti. Madje edhe betimi civil për të fituar nenshtetësinë të njëjtë formulë ka, -përkushtimin i ndërgjegjshëm ndaj ineteresave kombëtare të atij shteti.
Akti deheroik për këta të rinj, që do të thotë se ata formalisht betohen ushtarakisht para flamurit grek si nënshtetas grek, por në fakt betohen para flamurit shqiptar, përbën një akt të paktën moralisht pse jo dhe juridikisht të dënueshëm. Nga ana tjetër përpjekja për t’i trajtuar këta të rinj si viktima të nacionalizmit grek, pra si kandidatë për t’i shpallur heronj, u heq atyre, por edhe mjedisit publik të drejtën për ta toleruar rastin.
Por kur në Shqipëri shpallet hero një i ri që rrëmben një autobuz me nënshtetas grekë me pasojë vdekjen e dy prej tyre, apo të burgosur në Greqi për vepra të renda penale, ashtu si heroin e preferuar të dronit në Beograd, klima e debatit të nisur tregon se pret një denim të tyre të mundshëm, larg qoftë, për t’i shpallur heronj dhe për të nisur një fushatë tjetër antihelene.
Këtu nuk bëhet fjalë për pjesëmarrje individesh në ekipe sportive, grupe kulturore etj, ku kërkohet thjesht kontributi individual nëpërmjet talentit personal për ngjyrat e një klubi apo të grupit artistik privat. Por për ushtrinë si një instrument shtetëror garant i sigurisë kombëtare dhe shtetërore, funksionimi i të cilit kërkon mbi të gjitha një shkallë të lartë ndërgjegjeje kombëtare, besnikerie dhe përkushtimi ndaj idealeve të atdheut dhe kombit të cilit i shërbën.
Nuk bëhet fjalë as për jetën civile. Në Greqi, toleranca në këtë drejtim është e njohur deri në kufijtë e të qenit e kritikueshme. Dihet p.sh që në orkestren simfonike të Radiotelevizionit Publik Grek ERT, ka instrumentistë shqiptarë, të cilët kur ekzekutohej himni kombëtar grek apo pjesë të tjera të këtij karakteri, ata nuk i interpretonin dhe askush nuk u thoshte një gjysmë fjale. Dihet psh, që në shumë shkolla greke nxënësit nuk duan të dëgjojnë mësimin për historinë e Greqisë dhe nuk merret asnjë masë. Ose janë evidentuar raste, si në Korinth, që nxënës shqiptarë duke marrë mesazhe nëpërmjet telefonit iu imponuan me dhunë mësuesës që te ndryshojë përmbajtjen e mësimit të historisë. Ose që opinioni publik grek iu imponua mentalitetit që nuk lejonte nxënësit shqiptarë të mbanin flamurin grek në veprimtari të karakterit kombëtar grek. Ose, dihet toleranca e institucioneve greke ndaj arrogancës së bibliografisë shqiptare që pretendon gjithë arsenalin kulturor të lashtësisë greke për të ngritur një mit kombëtar shqiptar. Dihet që organet shtetërore greke kanë fshehur shpesh shifrat e veprave penale të shqiptarëve në Greqi vetëm për të mos lejuar shpërthimin e antishqiptarizmit.
Por në fund të fundit një milion shqiptar që kaluan në Greqi, me një shifër konstante permanente prej më shumë se 600 mijë, nuk vajtën aty me ftesën greke. Dhe ishte e para shoqëria dhe më pas shteti grek që i pritën, u dhanë strehë, punë, qytetari, kulturë. Dhe askush nga emigrantët nuk u pengua që të demonstrojë identitetin e vet etnik në çdo formë qoftë ai. (Tjetër gjë është karakteristika e përshtatjes shqiptare për të perfituar sa më shumë).
Kuptohet, se në gjithë këtë shpërngulje dhe lëvizje paqësore të kësaj popullate nga Shqipëria për në Greqi, do të ketë edhe qëndrime të padenja nga populli pritës. Por këto rastësi në një akt me përmasa dhe vlera historike, kur shumëzohen me zero, ose nxihet, kjo besoj se nuk mund të tolerohet.
Në këtë këndvështrim, çfarë niveli tolerance kërkohet nga një shoqëri dhe një shtet për të qenë e pranueshme nga mentaliteti shqiptar, aq me tepër kur kjo merret si dobësi dhe si tregues për të rritur dozat nacionaliste të antihelenizmit shqiptar.
Merret me mend se çfarë mund të ndodh nëse në një repart të ushtrisë shqiptare një nënshtetas rekrut qoftë ose jo grek, do të kishte guxuar të demonstronte publikisht simbolet kombëtare greke, apo të një shteti tjetër ndaj të cilit dozat nacionaliste dhe të armiqësisë janë në rritje.
Le të mos harrojmë se shteti shqiptar hoqi nga ushtria shqiptare gati 400 oficerë ushtarakë me origjinë greke, nuk la pothuaj asnjë oficerë policie dhe as mund të bëhet fjalë për pjesëmarrje të tyre në shërbime sekrete. Dhe bëhet fjalë për qytetarë me kombësi greke që kanë luftuar për lirinë e Shqipërisë, që kanë treguar devotshmëri të shkallës më të lartë për shtetin shqiptar, që kontribuan në të gjitha drejtimet për shtetin shqiptar.
Por pozat civilizuese ne Shqipëri, nuk mund të kenë vlerë kur paraqesin si vepra patriotike apo kombëtariste shqiptare, rastet e heqjes së flamurit këmbëtar grek nga shtëpia private e minoritarëve grekë, kur heshtin për rastet e ekstremisteve të ndryshëm që futen natën në shtepitë e minoritarëve, i kthejnë ato përmbys pa vjedhur asgjë, (pra e bëjnë për të ngjallur panik) por kur gjejnë simbolet e tyre kombëtare i marrin dhe i djegin pa patur frikë se do zbulohen ndonjëherë.
Kur flamuri grek, edhe pse midis flamurit shqiptar dhe atij të BE-së hiqet nga një biznes privat mu në zemër të Dropullit, apo nga zyrat qëndrore të OMONIAS. Kur u bëhet jehonë thirjeve që të debohen minoritarët nga shtëpitë e tyre, ose kur minoritarët nuk lejohen të shprehen për të drejtat e tyre pasi këtë rol përfaqësues të tyre e marrin në dorë zedhënësit e nacionalizmit shqiptar. Kur këtij minoriteti me mënyra nga më monstrouze, që i tejkalojnë ato të perandorisë Otomane, i rrëmbehen padrejtësisht mijra hektarë tokë. Kur ky minoritet viktimizohet apo merret peng në emër të reciprociteteve të paqena dhe të shfryrjes së pezmit antihelen.
Së fundi, nuk është as e ndershme e as dinjitoze, përpjekja që bëhet, që për të minimizuar efektet e gjestit të të rinjve rekrutë shqiptarë në ushtrinë greke thuhet se nuk përbën një provokim apo fyerje për ushtrinë greke se Shqipëria dhe Greqia nuk janë vende në gjendje lufte, se jemi vende anëtarë të NATO-s, kemi nënshkruar traktatin e miqësisë etj, etj.
Harrohet tymnaja e Ligjit të Luftë midis dy vendeve që mbahet gjallë dhe ushqehet dhe nga politika zyrtare. Po ashtu fakti që shqiponja e pëllëmbëve shfaqet në ushtrinë Greke, nuk është çështje simboli shekullor i shqiptarëve, për arsye se Kastriotët e trashëguan nga krushqit e tyre Muzakët (me origjinë mollose) që e kishin fituar si nderim nga perandori bizantin për shkak të shërbimeve ndaj tij kundër bullgarëve.
Pra ai shfaqet, aq me tëpër në ushtri, si simbol etnik i një vendi që e shton retoriken nacionaliste në dëm të Greqisë dhe harta me Shqipërinë e madhe është vendosur dhe në instucione shtetërore nga më të rendësishme në vend.
Megjithatë, për mendimin tim personal harxhimi i kaq shumë energjive për të gjetur armiq, ose për të kthyer në armiq popuj, me të cilët të lidh thjesht miqësia, popujt me të cilët historia ka provuar se bashkëpunimi me ta (dhe flas këtu për popullin grek) të ka sjellë përparim dhe mbrothësi, ose akoma me keq te harxhosh kaq shumë energji për të mbajtur në këmbë një realitet të kaluar, por të shtrembëruar në funksion të armiqësisë që i duhet për konsum politikës së ditës, kur popuj të tjerë për hir të së ardhmes së tyre harrojnë dhe plagë nga më të rënda historike, kjo mendoj tregon se civilizimi dhe kultura perëndimore që pretendojmë në Shqipëri është akoma e mangët dhe në vend që të vihet në funksion të emancipimit të vulgut, kridhet në të se ndihet komode nga përfitimet e momentit.
Shume ok. Shto ketu dhe zhurmen qe u be kur nje keshilltar ne Ministrine e Jashtme Shqiperise ishte me kombesi greke…ne mediat, politiken shqiptare u be hataja sikur ishte armiku i popullit…Ky nuk eshte racizem…ky nuk eshte diskriminim…keto dhe te tjera si keto i harrojme qe vete ne i shfaqim ato qe nuk duam tek te tjeret…. hipokrizi…..
Na nxjerrin portalet famekeqe pamflet etj…. foto te ushtareve amerikane apo te tjera por harrojne se per ata nuk e dine ku bie shqiperia…po sikur nje ushtar amerikan me origjine ruse te bente simbole te rusise ne garnizonin amerikan…cfare do ndodhte me te???? Disiplina ushtarake nuk te fal…ne jeten civile nuk te thote kush se cfare simbole manifeston….