Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, duke folur në takimin madhështor me diasporën shqiptare në Milano, u shpreh se, qeverisja e Edi Ramës nuk u ka ofruar asgjë shqiptarëve, përveç se diskriminimit dhe dhunës.
Noka në fjalën e tij, i bëri thirrje diasporës shqiptare që të marrin pjesë masivisht në votime, për të larguar dhe çmontuar qeverisjen e rilindjes së Ramës.
“Këto zgjedhje me votën tuaj do të ndëshkojmë frontin e errësirës. Rilindja është shndërruar në frontin e errësirës pasi ajo kudo kundërmon aromë të fëlliqur krimi dhe droge.
Është fronti i errësirës pasi shqiptarët në këto 12 vite nuk panë dhe nuk prekën jetën normale, përveç dhunës, terrorit dhe diskriminimit.
Xhorxh Sorros kishte plan që ta kthente Shqipërinë në një vend të pajetueshëm për shqiptarët dhe në një parajsë për mafien e tij me kukullën e tij Edi Rama.
Ndaj për 12 vjet ikën 1.1 milionë shqiptarë nga vendi. Tashmë miq është detyra jonë, ta çmontojmë Rilindjen, ta shpëtojmë Shqipërinë, dhe ne jemi të vendosur që ta bëjmë atë.
Ne po ecim drejt fitores dhe ne do ta çmontojmë Edi Ramën dhe Rilindjen më 11 maj.” tha Noka.