Punonjësit shqiptarë janë përgjithësisht ndër më pesimistët në Europë kur pyeten për perspektivën e avancimit të tyre në karrierë. Të dhënat janë nga një raport i Komisionit Europian për kushtet e punës dhe i referohen vitit 2016. Vetëm një e treta e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar se ata bien dakord që kanë një perspektivë të mirë për të avancuar në karrierë.
Gati 40% e punonjësve shqiptarë mendojnë të kundërtën, pra që ata nuk kanë shumë shanse të ecin përpara në punë.
Punonjësit shqiptarë renditen ndër më pesimistët së bashku me shtete të tjera si Greqia, Gjermania, Sllovakia, Serbia, Lituania dhe Italia, që renditet e fundit.
Siç duket nga grafiku, pesha e punonjësve që mendojnë se puna e tyre ofron perspektivë të mirë për të ecur përpara në karrierë është mbi 45% në Maltë, Turqi, Danimarkë, Mbretërinë e Bashkuar, Maqedoni, Irlandë, Rumani dhe Luksemburg.
Për gjithë Europën, diferencat sipas gjinive janë të vogla; megjithatë, më shumë meshkuj sesa femra pranojnë që puna e tyre ofron perspektivë të mirë në karrierë (40% kundrejt 36%).
Në të kundërt, më shumë femra sesa meshkuj janë pesimistë për ecjen përpara në karrierë: 42% krahasuar me 36%. Këto diferenca janë më të theksuara te punonjësit e vjetër, veçanërisht femra (51% a atyre mbi 50 vjeç).
Ka diferenca të mëdha mes sektorëve, ku shërbimet financiare janë më optimiste për avancimin në karrierë (55%), ndërsa transporti (33%) dhe bujqësia (29%) kanë më të ulëtin.
Administrata publike dhe shërbime të tjera janë mbi mesataren për sa i përket këtij treguesi (43% dhe 39% përkatësisht) por industria (37%) dhe tregtia e mikpritja (35%) janë nën mesataren.
Për sa i përket profesionit, shumica e menaxherëve bien dakord me deklaratën që puna e tyre ofron perspektivë të mirë për zhvillimin në karrierë. Gjithsesi, punonjësit e kategorisë së ulët dhe ata të krahut të makinerive nuk bien dakord./ Revista Monitor