Corriere.it i ka kushtuar një shkrim të gjatë një shqiptari që tashmë është kthyer në një biznesmen shumë të madh të “Call Center”-ave. Shkrimi i është kushtuar Agron Shehajt i cili është larguar nga Shqipëria në mars të vitit 1991.
“Shikim drejt objektivit, xhiboks gri, orë plastike në dorën e majtë dhe dy gishta të ngritura lart në shenjë ngazëllimi. Mars 1991, stacioni hekurudhor i Monguelfo (Bolzano)”, e përshkruan e përditshmja italiane Corriere.it Agron Sheha. Ky është shqiptari që emigroi në moshën 13-vjeçare drejt Italisë dhe ka arritur sot majat e suksesit dhe konsidertohet si ‘mbrei’ i Call Center-it.
“Jam unë, kur isha 13 vjeç. Fotoja është e Guido Perinit, një fotograf vendas i cili ndodhej aty për të dokumentuar mbërritjen e emigrantëve shqiptarë”, thotë Agron Shehaj, duke treguar foton. Afër çerek shekulli më pas, pasi zbarkoi me familajne nga Vlora, ai është bërë një nga ‘padronët’ e call center në Europë. Intercom Data Service (IDS) ka 15 zyra në Shqipëri, më shumë se 3,000 të punësuar, në masën më të madhe shqiptarë, ndonjë prej tyre italianë dhe anglezë. Ai llogarit një xhiro vjetore rreth 20 mln euro, me seli qendrore në zonën e ish-Bllokut.
Historia: Zbarkimi në Brindizi
Ai tregon se i përket valës së parë të emigrantëve shqiptarë. “Zbarkova në Brindizi pas një udhëtimi të gjatë në një anije ushtarake shqiptare”, kujton ai. “Tentuam të hyjmë përmes ambasadës italiane në Tiranë për të kërkuar azil politik, por atë ditë zyra ishte e mbyllur. U kthyen në Vlorë, pritëm rastin më të mirë. Në udhëtim ishin unë, mamaja, babai, vëllai i vogël dhe qindra bashkëatdhetarë të tjerë. Një udhëtim i gjatë, por ne fëmijët na vendosën që të flinim. U zgjova nga zhurma e helikopterit mbi kokë dhe nga bankina e portit të Brindizit. Pak orë më pas unë dhe familja ime hipëm në një tren që do të na çonte drejt veriut të Italisë. Na zbritën në Monguelfo dhe mikpritja ishte e jashtëzakonshme, banorët e zonës na ofronin ushqime e veshje. Pak ditë më vonë një zotëri na ndaloi në rrugë dhe mua dhe vëllait na dhuroi një biçikletë”.
E kundërta e Shqipërisë
“Një parajsë! Kishte rregull që ne nuk e kishim parë kurrë, çdo gjë ishte e bukur dhe e kuruar. Krejt e kundërta e Shqipërisë”, tregon ai përballjen e parë me vendin e huaj, duke shtuar se pas tre muajsh familja e tij u transferua në Bolzano. Nga aty, shqiptari shkoi ne Firence ku nisi të studionte për ekonomi dhe tregti në universitet. Teksa shqyrtonte mundësitë e punësimit tregon se i lindi edhe ideja gjeniale për hapjen e Call Center. “Shqiptarët flasin italisht, kostoja e punës ishte e ulët përse të mos ofronim këtë shërbim për sipërmarrjet që ndodheshin përtej Adriatikut? Lindi kështu në nëntor 2005, IDS, kompania që futi në krizë sektorin në Itali”- tregon ai. Ai thotë se ka kufizime, pavaresisht arritjeve. “Linjat e mia telefonike nuk duhet të ofrojnë shërbime që dëmtojnë njerëzit. Si rrjedhim nuk do të kishte shërbime që mund të ofronin shërbime të ndaluara për të miturit, kumar, investime në financa të rrezikshme, lexim letrash etj”.
Ai shton se vendi ka bërë progres, por i pyetur nëse ka joshje drejt politikës, është i prerë. “Jo, faleminderit” dhe nënvizon se shërben me miër duke hapur vende pune. Ai ka dy fëmijë dhe ka grua një shqiptare, që ende nuk e ka marrë pasaportën italiane. Tregon se ne familje flitet shqip. “Fëmijët kanë lindur në Itali, gjuha e tyre kryesore është italishtja, por duhet të mësojnë edhe gjuhën e prindërve. Origjina nuk duhet harruar kurrë”, thotë ai. (J.V/Shuplaka)