Policia greke ka arrestuar dy persona për plagosjen me armë të një 32-vjeçari shqiptar në lagjen Peristeri të Athinës ditën e martë. Njëri nga të arrestuarit është djali i një biznesmeni grek, pronar anijesh. Ky i fundit ka reaguar për ngjarjen duke folur për mediat greke. Sipas biznesmenit, djali i tij Jani u ndodh në vendin e gabuar në kohën e gabuar.
“Jani ishte në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Djali nuk ka asnjë lidhje me çështjen. As nuk dhunoi, as nuk qëlloi. Ai nuk kishte as armë. Kishte vetëm një shumë të madhe parash. Ndërsa personi tjetër është nipi im, dhe punon në ndërmarrjen time. As ai nuk e njeh shqiptarin”, tha biznesmeni Jorgos Leventakis.
32-vjeçari shqiptar u dhunua me sende të forta nga dy persona në një pikë të shitjes së makinave, dhe më pas u qëllua me armë në këmbë. Gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut.
Për këtë ngjarje, policia arrestoi djalin 35-vjeçar të biznesmenit grek dhe një person tjetër. Por biznesmeni thotë se djali i tij kishte shkuar për të blerë një makinë. Ndërkohë, policia greke po vijon hetimet për këtë ngjarje.
Para se ta qëllonte me armë, djali i biznesmenit e kishte fyer shtetasin shqiptar me përmbajtje raciste.