Seanca e parë për sesion e ri parlamentar është vendosur të zhvillohet më 3 shtator, ky është njoftimi i dhënë nga ana e kreut të kuvendit Gramoz Ruçi për të gjithë deputetët.
“Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka nxjerrë urdhrin nr. 28, datë 29. 8. 2018, ‘Për mbledhjen e sesionit të tretë të punimeve të Kuvendit në seancën plenare të datës 3 shtator 2018’, me anë të cilit njofton deputetët dhe publikun për fillimin e sesionit të vjeshtës së punimeve të Kuvendit”, njofton zyra e shtypit pranë institucionit të Kuvendit.
Shtatori pritet që të jetë një muaj jo pak i nxehtë sa i përket zhvillimeve politike, ku reforma në drejtësi, ajo zgjedhore presin marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës në mënyrë që të çohen më tej.
Po ashtu qeveria pritet që të rikthejë në votim ligjin për Teatrin i cili është kundërshtuar nga ana e presidentit Meta.
Nga ana tjetër Vetingu në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka lënë një sërë boshllëqesh në institucione, duke bërë që Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese të mos kenë kuorumin e nevojshëm për t’u mbledhur.
Po ashtu në këtë sesion të gjitha forcat politike pritet që të ndezin motorët në përgatitje për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, që do të jenë një matës i mirë forcash.
(E.K/FAXWEB.AL)