Shtëpia e Bardhë tha të enjten se shpreson që Rusia dhe Ukraina të fillojnë negociatat javën e ardhshme në Stamboll për të çuar përpara përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit ndaj fqinjit të saj në Evropën Lindore.
“Kështu e kuptoj unë dhe shpresojmë që Rusia dhe Ukraina do të angazhohen në bisedime dhe negociata të drejtpërdrejta javën e ardhshme në Stamboll dhe ne besojmë se ky takim do të zhvillohet, dhe ky është një takim që presidenti e inkurajoi dhe i bëri thirrje këtyre dy palëve të mblidhen dhe të negociojnë drejtpërdrejt”, u tha gazetarëve zëdhënësja Karoline Leavitt.
“Presidenti ka qenë i qartë që nga fillimi i këtij konflikti se dëshiron ta shohë këtë konflikt të zgjidhur në tryezën e negociatave, jo në fushën e betejës. Dhe ai ua ka thënë këtë të dy udhëheqësve, si publikisht ashtu edhe privatisht. Pra, shpresojmë që javën tjetër do të ecim përpara”, shtoi ajo.
Leavitt tha se nuk ka plane që Presidenti Donald Trump të dërgojë një përfaqësues të SHBA-së në bisedime, por e la këtë derë hapur.
Raundi i dytë i negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës është propozuar për 2 qershor në Stamboll, pas një takimi të 16 majit në të cilin të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve dhe përgatitjen e draft dokumenteve për të çuar përpara përpjekjet e paqes.
Ndërsa Rusia këmbëngul se do ta paraqesë draftin në bisedime, pala ukrainase ka kërkuar që dokumenti të paraqitet menjëherë.
Kremlini e ka quajtur qëndrimin e Kievit si “jokonstruktiv”.