Albert Mahmutaj, nënkampion i botës në Kickbox në vitin 2005 këtë të martë, se bashku me familjen e tij, gruan dhe katër fëmijët, protestoi përpara Kryeministrisë.
Prej 15 vitesh asnjë qeveri nuk i ka dhënë shpërblimin që atij i takon. Premtimet kanë qenë të shumta ndaj sot ai së bashku me familjen e tij janë zhvendosur poshtë zyrës së Ramës, me shpresën se do të marrin një zgjidhje.
“Arsyeja që po protestoj është për një të drejtë që më është mohuar prej vitesh. Në kampionatin e 2003-shit, me takojnë 60 milion lekët të vjetra. Në 2005, janë 80 milionë lek të vjetra. Megjithëse ish kryeministri Sali Berisha, ka nxjerrë një urdhër nga kjo kryeministri, në 2006, që unë të marr shpërblimin nga kryeministria. Do të me jepnin 15 milionë lekë, por ngeli procedura në ajër”, tha ai.
“Shpresoj që të më japin një përgjigje pozitive, jam i vendosur pasi e kam lënë dhe punën, nuk kam asgjë’, u shpreh Mahumataj pasi u fut brenda në kryeministri dhe pati një takim të shkurtër me përfaqësues të stafit.