11 milionë euro është ndihma që do të japë Gjermania për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 26 Nëntorit, që iu mori jetën 51 personave, dhe la të pastrehë mijëra të tjerë.
Lajmi është dhënë në konferencën e donatorëve që po mbahet gjatë ditës së sotme në Bruksel, dhe është konfirmuar nga ambasada gjermane në Tiranë, ku qeveria shqiptare shpreson që të mbledhë një shumë të konsiderueshme, të pasojave prej rreth 1 miliardë eurosh që la pas tërmeti.
Ndërkohë që në nisje të konferencës kryetarja e KE-së, Ursula Von der Leyen, tha se nga buxheti i BE-së do të jepeshin 100 milionë euro për Shqipërinë, duke e çuar në 115 ndihmën totale të saj.
Nga ana tjetër Suedia ka dhuruar për Shqipërinë 5.6 milionë euro, ndërkohë që Britania e Madhe ka dhuruar 1 milionë paund për Shqipërinë, një shifër kjo mjaft e ulët në krahasim me pritshmëritë e qeverisë shqiptare.
Disa ditë më parë Holanda dha një ndihmë prej 3 milionë eurosh, ndërsa më herët ndihma kanë dhënë dhe vendet e lindjes së mesme, dhe veçanërisht Turqia, me rindërtimin e 500 banesave të reja në Laç.
Postimi i ambasadës gjermane për donacionin:
Gjermania angazhon 11 milionë euro për rindërtimin
Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas deklaroi sot në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit 2019:
“Tërmeti i rëndë i nëntorit, që goditi Shqipërinë, mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme serioze. Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike. Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte. Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro.
Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve.”
(E.K/Faxweb.al)