Kombëtarja e Kosovës e re në moshë dhe plot polemika. Pas Albert Bunjakut, edhe Eroll Zejnullahu është lojtari i radhës që publikisht shpreh pakënaqësinë për mosaktivizim te përfaqësuesja e Kosovës.
Kanë mbetur edhe dy muaj kur përfaqësuesja e Kosovës do ta luajë ndeshjen e radhës në kualifikimet për Botërorin ‘Rusia 2018’, ndaj Islandës.
Por, si duket atmosfera te lojtarët e përfaqësueses nuk është edhe aq e mirë. Pas Albert Bunjakut, edhe Eroll Zejnullahu është lojtari i radhës që publikisht shpreh pakënaqësinë për mosaktivizim te përfaqësuesja e Kosovës.
Mesfushori i skuadrës gjermane, Union Berlinit është ftuar për të gjitha ndeshjet eliminatore, por nuk është aktivizuar në asnjë.
Ai ka pak gjasa t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës për kundër Islandës, që zhvillohet në muajin mars, në Shkodër.
“Unë do të mendoj tri herë para se të shkojë. Unë jam i fokusuare te Unioni”, ka deklaruar Zejnullahu për Bild.
“Unë nuk dua të shkoj në ekipin Kombëtar të luajë një minutë dhe të humb ndeshjet me Unionin”, ka theksuar ai.
Më herët edhe sulmuesi Albert Bunjaku shprehu pakënaqësinë, duke refuzuar të grumbullohet për ndeshjen me Turqinë.
Madje, dyshohet se edhe Bersant Celina nuk u grumbullua për këtë ndeshje pasi kishte humbur vendin në formacionin e parë. (E.K/SHUPLAKA)