Kur na ndajnë dhe dy orë nga nisja e protestës së popozitës, PD denoncon se në rrethe kanë nisur presionet ndaj qytetarëve. Dy protestues janë shoqëruar nga policia në Korçë, ndërsa janë mbajtur të bllokuar dy autobusë. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i PD në Korçë Andrea Mano, i cili akuzoi policinë se po ushtron presion mbi protestuesit.
Sipas Manos, dy protestuesit njëri prej të cilëve ish-polic po mbahen pa asnjë arsye të shoqëruar ndërkohë që policia nuk ka dhënë asnjë sqarim pse u shoqëruan.
Protestuesit janë ndaluar në një postbllok policie në hyrje të qytetit, në autobusin me të cilin po udhëtonin drejt Tiranës.
Ndërkohë që më herët i njëjti shqetësim u ngrit dhe në Elbasan, ku u shoqëruan për në Polici 20 persona, për të cilët u tha se do të verifikoheshin.
Kjo është protesta e gjashtë kombëtare e organizuar nga opozita e bashkuar, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.
Opozita ka marrë leje për protestën e sotme deri në mesnatë, ndërsa ende nuk dihet nëse ka një plan për të qëndruar edhe më tej në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, apo do të zgjidhet të marshohet në disa institucione të rëndësishme si parlamenti apo policia.
Ditët e fundit janë shtuar zërat për shtyrjen e zgjedhjeve dhe nga ndërkombëtarët, si dhe presidenti Ilir Meta, i cili tha dje se është gati që të shtyjë datën 30 Qershor në rast se palët dakordësohen. Mirëpo deri tani mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama nuk ka bërë asnjë hap pas, përveç disa letrave publike të kryeministrit i cili kërkon dialog pa kushte. (E.K/FAXWEB.AL)