3 raste të reja me Covid 19 janë zbuluar së fundi në Përmet. Mësohet se të prekurit janë një biznesmen, edukatorja e një kopshti në qytet, si dhe një grua tjetër nga fshati Kosinë.
Biznesmeni me iniciale Xh.K, dyshohet se është prekur ditët e fundit kur ka qenë në Tiranë dhe më pas ka udhëtuar drejt familjes së tij në Përmet, ndërkohë që pas rastit pozitiv të edukatores me inicialet O.T, kopshti është mbyllur, dhe nuk dihet se cili ka qenë lajmërimi për fëmijët dhe prindërit e tij.
Rasti i gruas nga fshati Kosinë i Përmetit me iniciale E.F., dyshohet se është marrë gjatë kohës kur ajo ka qenë në plazh në Himarë.
Të tre të prekurit me koronavirus janë izoluar në ambientet e banesave të tyre, pasi momentalisht gjendja e tyre paraqitet e mirë, ndërkohë që përgjigja pozitive të të tre të prekurve me Covid-19, ka vënë në lëvizje Policinë e Përmetit dhe NJVKSH për të gjurmuar kontaktet e të tre të prekurve.
Me numrin e sotëm Përmeti shkon në katër të infektuar me Covid-19 pas rastit të parë të shfaqur 2 javë më parë ku një muzikant u identifikua si rasti i parë me Covid-19 nga ky qytet.
Discussion about this post