Është shtuar numri i supermarketeve që mbështesin nismën e Bashkisë së Tiranës për shitjen e qeseve për konsumatorët. Sipas bashkisë, bëhet fjalë për 7 supermarkete të tjera që kanë nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit.
Ky vendim është përshëndetur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se synohet që përmes kësaj nisme, jo vetëm që ruhet ambienti nga ndotja, por edhe kultivohet një qytetari e mire.
“Kemi probleme të panumërta në një qytet që është ndërtuar për 200 mijë banorë dhe sot ka 1 milionë banorë; shpesh kanalizimet bllokohen, po ashtu edhe impiantet e grumbullimit të mbetjeve, kazanët, gjithashtu në sheshpushimet e lagjeve, në këndet e lodrave shohim katastrofa mjedisore nga papërgjegjshmëria. Ndaj, është e rëndësishme që këto rrjete supermarketesh të bashkuara në këtë nismë me Bashkinë e Tiranës, të garantojnë një qytet më të pastër”, theksoi Veliaj.
(XH.A/SHUPLAKA)