Tensionet te Cirku Kombëtar janë shtuar këtë pasdite pasi Kompania e Përmbarimit i ka vënë shiritin godinës duke bllokuar kështu aktivitetin e artistëve menjëherë pas takimit të përmbaruesve me përfaqësues të Cirkut.
Kujtojmë se përplasjet kanë nisur që paradite kur përmbaruesit mbërriten para godinës dhe artistëve iu komunikua që të merrnin vetëm gjërat e tyre personale dhe të largoheshin.
Mësohet se pak para këtyre përplasjeve për pronësinë e truallit, në mëngjes u zhvillua një shfaqje ku ishin të pranishëm dhe fëmijet.
Gazetarja e Fax News Ana Haxhimali e ndodhur në vendngjarje, raportoi se drejtori i cirkut i ndaloi mediat të hyjnë brenda dhe se nga jashtë dëgjoheshin debatet me tone të ashpra.
Kjo është e disata herë që përmbarimi shkon tek Cirku Kombëtar për të ulur çadrën.
Toka ku është ngritur çadra e Cirkut, rreth 1073 metra katror i janë njohur nga gjykata si pronë private një sipërmarrësi që në vitin 2014. Prej asaj kohe çështja nuk ka marrë zgjidhje ndërkohë që artistë e cirkut janë përplasur vazhdimisht me zyrtarët e përmbarimit të cilët kanë kërkuar zbatimin e vendimit të gjykatës.
(E.D/faxweb.al)