Seanca gjyqësore për ngarkimin e ish-ministrit Fatmir Mediu, e cila ishte caktuar për datën 7 prill, është shtyrë për shkak të mungesës së tij. Mediu kishte një ftesë për të marrë pjesë në Kongresin Amerikan nga data 24 mars deri më 1 prill.
Sipas avokatit Henrik Ligori, Mediu duhet të jetë i pranishëm në gjykatë për të paraqitur komentet mbi aktin e ekspertimit tekniko-ushtarak.
Ndërkohë, avokati i familjarëve të viktimave, Dorian Matlia, kërkoi që pretendimet të paraqiten njëherë me shkrim për arsye ekonomike të gjykatës.
Prokurori Klodian Braho e quajti të pajustifikuar mungesën e Fatmir Mediut dhe kërkoi që seanca të vazhdonte në prani të mbrojtësit të tij ligjor, një kërkesë që u kundërshtua nga ky i fundit.
Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën dhe i tërhoqi vëmendjen Mediut se mungesa të këtij lloji nuk do të pranohen më në seancat e ardhshme.
Në seancë ishte e pranishme edhe Zamira Durda, e cila deklaroi se ka 17 vjet që pret drejtësi.