Prof. Mevlan Kabo është ndarë nga jeta. Kabo ishte një ndër përfaqësuesit e denjë të plejadës së gjeografëve, që hodhën bazat e arsimit dhe të shkencës gjeografike shqiptare, për të cilat ish-studentët, kolegët e tij dhe breza të tërë mësuesish dhe gjeografësh i janë mirënjohës.
Kontributi i tij i madh u shtri në shumë fusha: pedagogjike, shkencore, drejtuese dhe publicistike: drejtues i suksesshëm i sektori në Institutin e Studimeve e Botimeve Shkollore dhe enciklopedike; drejtues i insitucioneve universitare (pedagog i gjeografisë dhe përgjegjës i katedrës së Gjeografisë, zv.dekan i Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Universitetit të Tiranës); drejtues i institucioneve shkencore (drejtor i Qendrës së Studimeve Gjeografike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; drejtues kryeredaktor dhe autor i veprës monumentale kombëtare Gjeografia fizike e Shqipërisë, botim i Akademisë së Shkencave (1991); drejtues e redaktor shkencor i gjeografisë në Redaksinë e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985 dhe 2008).