Kreu i LSI Petrit Vasili është shprehur sonte në emisionin “Opinion” se është i gatshëm që të shkelet Kodi Zgjedhor dhe nëse dy partitë e mëdha PS dhe PD kanë dëshirë të bëjnë koalicion, le ta bëjnë që tani, deklaroi me ironi Vasili.
Pjesë nga fjala e Vasilit:
Ju më njihni për vokacionin tim statalist dhe i një respektuesi të ligjit. Unë jam gati që Kodi Zgjedhor dhe marrëveshja politike të shkelen dhe t’i lejohet mundësia që PS dhe PD të bëjnë një koalicion.
Meqë e kanë me kaq merak le ta bëjnë.
Vendin e LSI e përcaktojnë zgjedhësit, objektivi i LSI është vetëm një, është i prerë, është bindje e jetës time që LSI të jetë forcë e parë.
Kjo është dashuri sikur bëhet prapa mureve, le ta bëjnë në mënyrë të hapur më mirë.
Kreu i LSI Petrit Vasili është shprehur po ashtu se marrëveshja Rama-Basha nuk e ka zhgënjyer aspak LSI-në, por përkundrazi sipas tij është realizuar ajo që LSI priste prej kohësh.
Po ashtu Vasili ka theksuar se roli i LSI-së, në këtë marrëveshje ishte kryesor, pasi marrëveshja erdhi edhe fal insistimit të saj. Vasili deklaroi se Meta dhe LSI kërkoi qeveri besimi dhe ajo ndodhi dhe për këtë sipas tij nuk ka si të ndihet e zhgënjyer LSI.
“Kriza u zgjidh pas këtij insistimi të LSI-së, pas një humbje kohe të pajustifikuar e cila krijoi një dëm të madh për vendin, në imazh dhe në ekonomi. Por e rëndësishme është që u zgjidh. U krijua një qeveri, siç e patë ju, që Ilir Meta e përcaktoi në propozimin e tij si një qeveri besimi. Është një qeveri besimi e mirëfilltë, që i krijon besim opozitës që të futet në zgjedhje. Kjo ndodhi. Pra gjithçka që insistuam që nga fillimi deri në fund ndodhi me preçizion të plotë. Tani do shkojmë në zgjedhje të paqta. Pra kemi arritur një aksion madhor për të zgjidhur një krizë, zgjidhjes së cilës i bëmë shërbim deri në natën e fundit dhe për këtë jemi shumë të lumtur”,-u shpreh Vasili.
(M.D/Shuplaka)