Kryeministri Edi Rama, ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me protestën e paralajmëruar nga opozita për tu mbajtur në datën 16 shkurt.
Sipas kryeministrit problemi kryesor me opozitën, është sepse ka një lidership të gabuar.
“Opozita ka problem serioz lidershipi. Ka mbetur në 4 duar tërësisht të pafta, të Lulzimt nga njëra anë e të doktoreshës. E kemi vënë re edhe në anketat tona.
Nuk është numri i njerëzve që dalin nëpër rrugë, njësi matëse për mbështetjen apo kundërshtimin e një force politike.
Jemi përpara një force të dëshpëruar njerëzish, që i ka kapluar dëshpërimi, që thonë nuk e fitojmë dot pushtetin, kështu të gjejmë një mënyrë tjetër”, –tha Rama në Real Story.
I pyetur nëse ka informacione nëse do të ketë apo jo dhunë, Rama u shpreh se nuk është i shqetësuar për këtë, pasi nuk është përgjegjësi e tij, por e Policisë së Shtetit.
“Nuk jam i interesuar në këtë anë. Është përgjegjësia e Policisë,ajo do të bëjë punën e vet. Nuk më habitin deklaratat e bëra. Gjatë të gjithë këtyre protestave nuk ka pasur asnjëherë më shumë se disa njerëz, pas adminiastrateve të Bashkisë”, – tha Rama.
Ndërsa pyetjes se “Si do të reagojë qeveria në rast dhune?”, Kryeministri iu përgjigj:
“Qeveria nuk reagon. Është Policia e Shtetit ajo që vepron. Ajo bën punën e saj, është në përgjegjësi të vet”.
(B.B/ Faxweb.al)