Ju ka ndodhur që gjatë dimrit ta ngrohni makinën përpara se të niseni për diku? Epo jeni lodhur më kot.
Ngrohja e makinës gjatë periudhës së dimrit në të vërtetë është një ritual i zakonshëm jo vetëm në Shqipëri, por ama sipas ekspertëve ky veprim është komplet i panevojshëm, sidomos për automjetet moderne. Të paktën kështu shkruan “Business Insider” në një artikull të tijin.
Pas konsultimit me disa inxhinierë mekanikë, portali ka arritur në përfundimin se në disa raste, ngrohja e motorit duke e lënë veturën në vend kur temperaturat e ajrit janë shumë të ulëta mund t’i bëjë dëm makinës.
Ekspertët shprehen se kur temperaturat janë nën zero, si në rastin e ditëve të fundit, zakonisht në orët e para të mëngjesit dëgjohen zhurmat e motorëve të automjeteve të cilët punojnë në neutralitet.
Por nga buron ky zakon për të ngrohur makinën? Sipas studjuesve, e gjitha kjo ka nisur që në kohën kur të gjithë kanë patur motorë me karburatorë.
Por, në atë kohë rituali i ngrohjes së makinës përpara lëvizjes ka pasur kuptim.
Ndërsa në kohët e sotme, sensorët e matin temperaturën e jashtme të sistemit dhe e përshtatin punën, kështu që vlerësohet se është e mjaftueshme që motori të punojë vetëm 30 deri më 60 sekonda përpara se të lëvizë. Më pas mund të fillohet me drejtimin e makinës, pasi motori duke lëvizur do të arrijë më shpejt në temperaturën punuese, krahasuar me rastin kur rri pa lëvizur.
Kështu që mjaft harxhuat kohë dhe karburant kot më kot, automjetet e sotme nuk e kanë më atë nevojë. (D.D/Shuplaka)