Ish-deputeti Koço Kokëdhima, zbulon për publikun historinë se si ai u bë i pasur. Ai thotë se nuk është bërë i pasur nëpërmjet veprimtarive kriminale dhe as nuk ka lindur i pasur. Kokëdhima është bërë me para përmes një kredie. Të paktën kështu tregon ai i ftuar në “Xing me Ermalin”.
“U bëra privat që ditë e parë që mund të bëheshe. Ditën e parë e dekretoi presidenti i asaj kohe, të nesërmen unë nuk shkova më në punë shteti dhe dola privat. Kërkova një kredi dhe atëherë kredi ishte fjalë shumë e keqe. Nuk kërkohej as kolateral, asgjë. Unë mora 1 milionë lekë të reja, që ishin 100 mijë dollarë sepse me 10 lekë ishte dollari. E mora kredinë për një vit dhe e ktheva më shpejt se një vit. Pasi mora paratë, ua shpërndava 10 bashkëpunëtorëve të mi dhe u thashë që duhet t’i prishni sa më parë këto lekë, duke blerë çdo gjë materiale që ka një çmim, çfarë të gjeni blijeni”, tha Kokëdhima.
Më tutje kreu i Lëvizjes “Zgjidhja”, Kokëdhima tregon edhe se çfarë bënë më tutje punëtorët.
“Ata blenë dru zjarri, kuzhineta, gurë, pjesë këmbimi dhe i futën në një magazinë të madhe me mallra. Ne e mbyllëm magazinën dhe pritëm. Për një periudhë prej shtatë-tetë muajsh dollari shkoi nga 1 me 10 lekë në 1 me 125 lekë. Çmimet e produkteve shkuan nga 100-fish deri në 800-fish. Kështu, fituam 1 milion dollarë neto dhe çfarë mbeti u la si mjet xhiroje për ndërmarrjen. Shfrytëzova inflacionin dhe rritjen e çmimeve të mallrave.”, shton ish-deputeti.
Në një moment të intervistës, vajza këngëtare e politikanit Besa Kokëdhima, paraqitet në studio për t’i bërë një surprizë. (D.D/Shuplaka)