Ditën e sotme ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin.
Në përgjimet e prokurorisë ditën e sotme është lexuar edhe një episod ku tregohet për skafin e prishur që kishte në përdorim Saimir Tahiri.
Sipas prokurorisë, punonjësi i policisë Naim Brahimaj ka pranuar njohjen me ish-ministrin dhe që është takuar me të në gusht të vitit 2014.
Në dosje thuhet se Brahimaj, u telefonua nga Greqia nga Tahiri në mbrëmje, periudhë në të cilën ish-ministri ka qenë me pushime në shtetin fqinj, dhe kishte shkuar në Korfuz me skaf, ku dhe i ishte prishur.
DËSHMIA
Nga deklarimet e shtetasit Naim Brahimaj, punonjës policie, ai ka deklaruar për angazhimin e tij, mbi kërkesën e të pandehurit Saimir Tahiri, në funksion të ministrit të Brendshëm, për rregullimin e skafit, të përdorur nga ky i fundit në pushimet e tij në Greqi, në gusht 2014 si dhe për angazhimin më pas, në dërgimin e skafit në Itali për servis dhe kthimin e këtij të fundit përsëri në Shqipëri. Sipas deklaruesit, gjatë karrierës së tij, ka punuar në Vlorë me detyrën e ndihmës specialist të forcave speciale, shofer dhe komandat skafi, pranë Repartit “Delta Forcë”. Në gusht 2014, në mbrëmje vonë, në numrin e tij telefonik; 06941….., u telefonua nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, i cili i tregoi se i ishte prishur motori i skafit, ndodhej larg dhe i kërkoi mendim se si duhej të vepronte. E udhëzoi të mundohej të ankoronte diku. Komunikoi disa herë me të atë natë dhe u njoftua se ishte mundësuar ankorimi. Saimiri i kërkoi që të nesërmen të shkonte në Greqi, ku ai ndodhej me pushime, ndërsa do ta merrte dikush me makinë dhe do të shoqërohej edhe nga një tjetër teknik. Të nesërmen, rreth pasdites, u telefonua nga Artan Habilaj, të cilin e njihte më parë. Me të, së bashku dhe me një shtetas tjetër, të quajtur Aurel Konakçiu, udhëtuan me automjetin ‘Audi’, i cili i ishte blerë Saimirit, në drejtim të Greqisë, duke kaluar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar ‘Qafë Botë”.