Vrasja për shkak të detyrës që iu bë Artan Cukut, është një goditje e rëndë që i bëhet shtetit. Kështu është shprehur në studion e ‘’Fax News” ish-drejtuesi i policisë Mit’hat Havari.
Ai ka treguar se për Cukun kishte dëgjuar fjalë të mira, për shkak të punës së tij në krye të Policisë së Vlorës. Ndërkohë që ka rrëfyer dhe takimin e parë me të, teksa Cuku i kishte thënë se e kishte idhull.
‘’Artan Cukun e kam njohur në vitin 2013, se kisha takuar më parë, po emrin ja kisha dëgjuar pasi ishte një drejtues shumë i zoti në Vlorë. Isha në drejtorinë e Policisë dhe shoh që po dilte nga fouristrada një djalosh i qeshur, që më tha se më kishte idhull. Kam pikasur te ai zyrtarin e zot dhe jo skuth, prandaj që prej fillimit e kam ditur se ai është vrarë për shkak të detyrës. Është shumë e rëndësishme që të thuhet kjo”, u shpreh Havari.
Më tej ai tha: Të vritesh pa u zbuluar e vërteta e vrasjes është një hije dyshimi që bie mbi familjarët po dhe mbi vetë shtetin. Kur pashë lajmet dhe pashë që ishte gjetur vrasësi i tij, u gëzova. Kjo pasi fëmijët e tij kur të rriten do të jenë dinjitozë, dhe do thonë se i ati i tyre ishte vrarë për shkak të detyrës.
Artan Cuku ishte një nga komisarët më dinjitozë, në fillim të heqin nga grada e drejtorit dhe më pas të lënë fare të papunë. Në rast se ai do të ishte në detyrë, krimi do ta kishte më të vështirë që të vinte dorë mbi të.
Nuk ka një ligj të posatshëm për të mbrojtur ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Cuku në rast se është ndjerë i kërcënuar ka bërë gabim që nuk e ka bërë publike rastin, pasi shteti është i detyruar që ti mbrojë të gjithë shtetasit e tij.
Dalja në dritë e vrasjes reale të Artan Cukut, që ka ndodhur për shkak të detyrës, është një shuplakë për qeverinë aktuale dhe të gjithë politikën në vendin tonë.
Në rast se Artan Cuku nuk do të ishte shkarkuar nga politika dhe do të ishte në krye të komisariatit të Vlorës, shefi i këtij komisariati nuk do të ishte sot në kërkim për drogë. Gjasat janë që kjo situatë e hakmarrjeve politike dhe pushimeve nga puna të ndryshojë, dhe Vetingu që ka filluar në sistemin gjyqësor do të vijojë dhe në rradhët e Policisë.
(E.K/FAXWEB.AL)