Italia ka regjistruar rekord infeksionesh nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit pasi kanë rezultuar pozitivë 19,644 persona. Po gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndërruar jetë 151 pacientë duke e cuar në 37,210 totalin e jetëve të humbura.
Që prej fillimit të stinës së vjeshtës, Italia ka shënuar shifra të larta dhe të frikshme, por mbetet e paqartë nëse po përballet me një valë të dytë të koronavirusit. Mediat italiane bëjnë me dije se shifrat e të shtruarve në spitale janë të njëjta me ato të fillimit të muajit Maj, kur qeveria vendosi ti japë fund izolimit, por kanë ngjashmëri edhe me shifrat e mesit të muajit Mars kur shpërthyen rastet e infektimeve dhe jetëve të humbura duke e bërë shtetin europian më të prekur nga pandemia.
Ndërkohë, nga frika e përdorimit të fjalës karantinë, kryeministri italian Giuseppe Conte po bën të pamundurën që masat shtrënguese të mos duken si një shkelje premtimi ndaj qytetarëve. Kreu i qeverisë italiane ka njoftuar se po punohet për një paketë masash të reja kufizuese e cila do të bëhet publike të dielën.
Pritet që pavarësisht rasteve që shtohen dita ditës, shkollat të mbeten të hapura, ndërkohë që pritet të vendoset një orar i ri për lejimin e aktiviteteve në mbrëmje.
Kryeministri ngurron të shtrëngojë shumë rregullat anti-virus për të mos dëmtuar më tej ekonominë. Por me numrin e njerëzve të infektuar dhe kujdesin intensiv që ka nisur të ezaurohet, duket se vendimet duhet të jenë të shpejta.
Ekspertët italianë të shëndetit publik po bëjnë presion që ndalimi i aktiviteteve dhe qarkullimi të vendoset në orën 21:00 (ose edhe 8 pasdite) në të gjithë territorin kombëtar. Por disa ministra në qeverinë italiane besojnë se është shumë drastike të mbyllësh të gjithë Italinë në shtëpi në nëntë në mbrëmje dhe të kërkosh të shpëtosh biznesin e restorantit.
(A.M/Faxweb.al)