153 familje në Shkozë të Tiranës rrezikojnë të mbeten pa banesa pas vendimit të Bashkisë së Tiranës për t’i prishur ato. Prej ditësh burra, gra dhe fëmijë kanë dalë në rrugë për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po iu bëhet.
E kanë theksuar dhe ritheksuar që nuk janë kundër urbanizimit të zonës, edhe pse kanë rezervat e tyre pse duhet të prishen kaq shumë rrugë. A ka ndonjë plan të fshehtë kreu i bashkisë Erion Veliaj për të ndërtuar në zonë pallate 15-katësh? Të paktën sot nga banorët nuk munguan këto zëra.
Ndërsa një vit më parë në një takim pikërisht në këtë zonë, kreu i bashkisë së Tiranës Veliaj, iu thoshte banorëve se për rrugën kryesore do të duhej të prisheshin vetëm pak muret rrethues në mënyrë që të ndërtoheshin trotuaret për fëmijët. E sigurisht që banorët nuk u kursyen. Madje ai vijonte më tej duke folur dhe për ndërtime me kulturë.
Takimi është kryer në Maj të vitit të kaluar, teksa Veliaj shoqërohej në takime nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati.
Po sot ku ndodhet Erion Veliaj? Mund të themi që kudo veçse jo në shërbim të këtyre 153 familjeve që po mbeten në qiell të hapur. Në gjithë këto ditë protestash Veliaj nuk ka pasur asnjë reagim publik në lidhje me këto çështje. E megjithatë nuk ka munguar në asnjë ditë në inagurime çerdhesh, shkollash apo kopështesh. Madje në disa prej tyre ka shkuar edhe dy herë. Sot ai kishte kohë që në ”Facebook” të postonte për gjelbërimin e Tiranës, po jo për Shkozën.
E sikur të mos mjaftonte kjo banorët janë prerë në besë dhe nga deputetja e zonës për PS-në Elona Gjebrea. Kjo pasi pak ditë më parë ajo iu premtoi atyre se do të gjendej një zgjidhje e përshtatshme nga qeveria edhe për ta. Gjë që nuk ndodhi.
Mëngjesin e sotëm këto familje u gjendën përpara fadromave që kishin ngritur kokë për të prishur çatitë e tyre. Policia e armatosur deri në grykë nuk lejonte median të afrohej përtej shiritit. A mund të quhet kjo një sjellje me kulturë?
Deri më tani raportohet se janë prishur dy banesa…ndoshta deri mëngjesin e nesërm do të jenë rrafshuar të gjitha. Jo muret rrethuese jo, ashtu siç dikur kishte premtuar Veliaj, do të hidhen në tokë mundi dhe djersa e një jete e 15 familjeve. Sot Veliaj hesht!
Shkoza jo pak herë është përdorur nga politikanët për interesat e tyre, e duket se edhe këtë herë i kanë ngrënë premtimet e qeverisë.
(E.K/SHUPLAKA)