Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula, është denoncuar në sallën e gjyqit për favorizim të paligjshëm të interesave të njërës palë gjatë një procesi gjyqësor për çështje pronësie. Denoncimi është bërë gjatë një gjykimi të drejtuar prej saj gjatë muajit shkurt të vitit 2016, shkruan një portal online.
Kjo kërkesë është bërë nga nga Bardhyl K i cili kërkon “përjashtim gjyqtari” në çështjen e tij të pronësisë. Në sallën e gjyqit Bardhyl K përballë gjyqtares ka pretenduar se kryegjyqtarja e Kavajës, Shedula, po bëhej shkak për zvarritjen e një gjyqi tjetër për çështje pronësie, ku ai ishte palë. Sipas tij, gjyqtarja Shedula kishte interes, që ai ta humbte gjyqin.
Po kështu Bardhyl K. ka kërkuar në Gjykatë përjashtimin e gjyqtarit Luan Lusha nga gjykimi i çështjes ku ai vetë ishte paditës dhe palë e paditur ishte shoqëria “H…” sh.p.k. dhe persona të tretë, Bashkia Kavajë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë.
DENONCIMI
Sipas burimeve, gjatë gjykimit të kërkesës penale, kërkuesi Bardhyl K. ka pretenduar padrejtësi nga ana e togave të zeza. Gjatë procesit, ai ka pohuar se kryetarja e Gjykatës ishte e interesuar që ai të humbte çështjen gjyqësore për konfliktin e pronës. Sipas burimeve, Bardhyl K. ka vijuar dhe më tej duke e cilësuar kryetaren e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula, si personin që zvarrit gjykimin për t’i dhënë mundësi palës së paditur prej tij të ndërtojë në pronën për të cilën ai ishte në një proces gjyqësor.
PERJASHTIMI I GJYQTARIT
Referuar nenit 73 të Kodit të Procedurës Civile në lidhje me heqjen dorë të gjyqtarit nga gjykimi i çështjes, theksohet se “Gjyqtari, i cili vlerëson me ndërgjegje se ka shkaqe të arsyeshme për të mos marrë pjesë në shqyrtimin e një çështjeje, i kërkon kryetarit të Gjykatës zëvendësimin e tij.
Kryetari i Gjykatës, kur e sheh me vend kërkesën, urdhëron zëvendësimin e tij me një gjyqtar tjetër, me anë të shortit”. Në lidhje me rastet e përjashtimit të gjyqtarit, neni 72 i Kodit të Procedurës Civile, në nenin 4 të tij thekson se gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga gjykimi kur “ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim apo ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes në një shkallë tjetër të procesit, është pyetur si dëshmitar, si ekspert ose si përfaqësues i njërës apo tjetrës palë”. (J.V/Shuplaka)