Mbrëmjen e djeshme në Tel Aviv është mbajtur një ceremoni madhështore ku përfaqësuesit e 41 shteteve të Eurovizion janë pritur në një festë. Ndryshe nga herët e tjera këtë vit në këtë ceremoni ishte vendosur një tapetë portokalli ku të gjithë këngëtarët dhe delegacioni i tyre do të parakalonin.
Këngëtarja Jonida Maliqi e cila përfaqëson Shqipërinë me këngën “Ktheju Tokës” tërhoqi vëmendjen e të gjithëve me pamjen e saj dhe fustanin domethënës. Këngëtarja ishte veshur me një fustan ngjyrë blu që në pjesën e poshtme kishte ngjyrat e ylberit.
“Nëse jeta është blu mund të zgjedhësh një tjetër ngjyrë nga ylberi. Ne po e shijojmë “Eurovision” dhe jetën, sepse jeta është si ylberi”, ka treguar Jonida teksa ka shpjeguar domethënien e veshjes së saj.