Prej disa ditësh në vendin tonë është vendosur në qendër të vëmendjes debati në lidhje me emrin që do të pasojë Adriatik Llallën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. E përveç pozitës dhe opozitës që janë ndarë në qëndrimet e tyre, në kampe duket se janë ndarë edhe analistët.
Një pjesë e tyre që janë më afër qeverisë mbështesin qëndrimet e shumicës parlamentare dhe janë përpjekur ta shfryjnë zhurmën që po bën opozita duke qëmtuar argumenta të ndryshme se përse sipas tyre aleanca PD-LSI po bllofon.
Kështu dje në një artikull tek gazeta Mapo:“Beteja për kryeprokurorin është shumë zhurmë për asgjë” Mustafa Nano shkruante se “Beteja për fatin e Prokurorit të Vjetër apo për emërimin e atij të riut, është një teatër, nëpërmjet të cilit duan të fshehin qëllime të tjera”.
Paralelisht me këtë ide, Skënder Minxhozi në editorialin e tij të titulluar: “Berisha dhe Meta duan të mbajnë në jetë garantin” e përligjte zhurmën e opozitës me përpjekjen e saj për të mbajtur në postin aktual Adriatik Llallën: “Kjo piskamë vaji që këndohet çdo ditë për fatin e Llallës është në fakt materializimi i frikës trevjeçare që PD e LSI kanë nga përmbysja e sistemit të vjetër klientelist të drejtësisë shqiptare. Prandaj Adriatik Llalla duhet të rrijë sa më gjatë në zyrë, edhe pse pa mandat dhe me një bilanc anonim që nuk i hyn në punë askujt. As atij vetë” shkruante ai.
Ndërsa disa ditë më parë, Mero Baze në editorialin e tij në Gazeta Tema kishte një këndvështrim të ndryshëm që shkonte sërish në të njëjtën linjë. Pasi argumentonte se shumica është në të drejtën e saj ta zgjedhë një prokuror me shumicë të thjeshtë ai e shikonte mohimin e PD-së dhe LSI së më shumë sesa një mbrojtje të ligjit, si një aksion për të forcuar aleancën kundër reformës në drejtësi të ngjizur me kohë nga çifti PD-LSI?.
Në shkrimin e tij: “Problemi është aleanca jetëgjatë kundër reformës” Baze shkruan:” Të gjithë e dinë që ai është i përkohshëm, për disa muaj derisa të ngrihet KLP, dhe pastaj beteja është në Parlament. E gjithë zhurma nuk është, se mos humbasë Kryeprokurorin e përkohshëm, por se mos humbasin njëri tjetrin. Është një hall që i bashkon tani e dy vjet. Dhe nuk është problemi tek prokurori i përkoshëm, por tek ruajtja e aleancës jetëgjatë kundër reformës). Pra të gjithë në mënyra të ndryshme dhe duke çmontuar argumentat dhe prapamendimet e opozitës arrijnë në përfundimin se nuk ka problem që Edi Rama të zgjedhë një kryeprokuror vetëm me votat e tij.
Ndërsa në kundërshti të plotë me tre të parët qëndron analisti Andi Bushati. Duke marrë shkas nga kolegët e tij, ai ka publikuar dje të plotë repilkën me ta.
SHKRIMI I BUSHATIT:
Duke qenë njëri prej atyre që i është dukur skandaloz guximi i çartur i kësaj mazhorance për të zgjedhur një prokuror vetëm me votat e saj, kam qenë gjatë gjithë këtyre ditëve i vëmendshëm, për të qëmtuar me kërshëri argumentat e atyre që mendojnë ndryshe nga unë. Kam kexuar shumë interpretime juristësh, shumë deklarata politikanësh e ndërmjet tyre edhe disa prej kolegëve të mij, me të cilët edhe kur nuk ndaj të njëjtat mendime, i respektoj në përpjekjen për t’u thelluar dhe forcën argumentuese.
Pikërisht tek këta të fundit më ka bërë përshtypje një tendencë për ta paraqitur gjithçka si një paranojë, frikë, apo lojë në kulisa të dyshes PD – LSI (lexo shkrimin poshtë).
Kështu, në një opinion të sotëm, Mustafa Nano e shihte alarmin e opozitës si një teatër që mëton të fshehë qëllime të tjera. Skënder Minxhozi i gjente këto qëllime tek dëshira për të ruajtur Adriatik Llallën që ishte një krijesë politike (me një mandat të dështuar) e aleancës së Berishës me Metën. Ndërsa Mero Baze, në një editorial të para disa ditëve, e shikonte tubimin rreth kësaj çështjeje si një përpjekje për të mbajtur të ndezur aleancën mes këtyre dy forcave politike, që kanë qenë, që në krye të herës, kundër reformës në drejtësi.
Pavarësisht nga diversiteti i argumentave që sillnin, që të tre bashkoheshin në qëndrimet e tyre vetëm tek një pikë: Ata e vendosnin fokusin e tyre vetëm tek mëkatet, frikërat, makthet dhe interesat e opozitës. Ata i tregonin publikut vetëm gjysmën e zbrazur të gotës dhe jo të vërtetën e plotë. Natyrisht, në argumentat e përzgjedhur, ata kanë të drejtë. Një prokuror i përgjithshëm i fortë dhe i pavaruar, do të bënte t’i dilte gjumi i natës Berishës, qoftë për 21 janarin, qoftë për Gërdecin dhe qoftë për koncesionet e dhëna në fund të mandatit. Një shef akuze me këto kritere do ta shndërronte aferën e DIA – CEZ në makthin e Ilir Metës. Ata, gjithashtu mund të pohojnë me gojën plot, se dyshja PD -LSI shpesh është rreshtuar kundër reformës dhe po aq shpesh është përpjekur t’a pengojë dhe zvarrisë atë.
Por, analiza e tyre duket sikur shpie drejt përfundimesh të manipuluara.
Për të arritur në konkluzione të drejta do të duhej të bënim gjyqin e qëllimeve të sejcilës palë. Dhe po të procedonim kështu, nga ky proces nuk mund të përjashtohet as Edi Rama dhe socialistët.
Pra, nëse do të shqyrtojmë motivet që i shtyjnë palët në pozicionet që kanë zgjedhur, pjesa e qeverisë del krejtësisht e zbuluar.
Le t’i marrim me radhë.
Socialistët e nisën propogandën e zgjedhjes së një prokurori të përkohshëm, vetëm pasi plasi skandali Habilaj – Tahiri. Ata filluan të flasin për të vetëm kur në publik u hodhën hipotezat se shërbime të huaja kanë përgjuar edhe politikanë të tjerë të lartë, tejet të afërt me Edi Ramën.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte ata interpretuan vetë një çështje ligjore tejet të koklavitur si emërimi i këtij kryeprokurori me votat e PS.
Natyrisht ata e dinin, sensibilitetin e publikut rreth propagndës që ishte bërë se reforma në drejtësi do ta shkulte atë nga duart e politikës. Ndaj prodhuan një seri të pafundme mashtrimesh për të qetësuar gjakrat.
Në fillim gënjyen kur thanë se edhe prokurori i përkohshëm do t’i nënshtrohej vettingut. Kaluan disa ditë dhe u tërhoqën nga kjo. Më pas thanë se ai do të qëndronte në detyrë maksimumi një muaj. U provua me fakte se ai kish mundësi të mbretëronte edhe shumë më gjatë. Në fund pretenduan se alarmi që po bëhet është falls, sepse kryeprokurori kalimtar nuk ka asnjë kompetencë. Më pas doli se ai kishte në dorë të pezullonte vartësit e tij, pra edhe ata që mund të hetojnë Tahirin sot, apo Ramën, Dakon e Sejdinin nesër.
Ja pra që të gjitha këto pirueta do ta bënin dyshuese një mendje që mëton të shkojë drejt së vërtetës.
Pse shpikën kaq alibi me radhë socialistët? Ç’ qëllim kishte pas tyre? Pse duan një prokuror (qoftë të përkohshëm) vetëm me votat e tyre? Pse nxitojë ta zgjedhin pa kaluar vettingun? Pse rrefuzojnë ta zgjedhin me kompromisin që ofron kushtetuta (shumicë të cilsuar parlamentare) po ofrojnë një konsensus të rremë si tryeza Rama- Basha? Dhe mbi të gjitha: Pse pikërisht në këtë periudhë kur janë kapur për fyti nga skandalet? Pse në kohën kur kanë nisur një betejë kundër prokurorisë që e kanë etiketuar si politike? Pse tamam tani kur filluan të flasin, për prokurorë të tropojanë kushurinj të Berishës, që na paskërkan organizuar një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë?
Pikërisht këto pyetje që “harrojnë” t’i bëjnë kolegët e mij, janë etapa e domosdoshme për të shkuar drejt së vërtetës.
Nëse vendosim të bëjmë analizën se kush ka të drejtë në konfiktim e hapur për mënyrën e zgjedhjes së kryeprokurorit, ne nuk mund të shohim vetëm njërën anë të medialies. Ne nuk mund të fokusohemi vetëm tek opozita. Natyrisht ajo ka mëkatet dhe pjesën e saj të errët në këtë betejë. Por, me votat që ka, ajo as mund ta zgjedhe një prokuror të sajin, as mund ta pengojë një prokuror të kundërshtarëve. Prandaj pesha më e madhe qëndron tek mazhoranca. Në fund të fundit është ajo që ka në dorë edhe gurin dhe arrën. Dhe është ajo që do të kryejë një akt, pavarësisht nga pikpyetjet që u thanë më lart dhe që sot e gjithë ditën nuk kanë marrë një përgjigje as nga socialistët, as nga ata që mbrojnë mediatikisht versionin e tyre.
(E.K/FAXWEB)