Policia e Shtetit njoftoi sot arrestimin e një 64-vjeçare, e cila kishte mashtruar disa biznesmenë në kryeqytet. Faxweb mëson se identiteti i gruas është Violeta Petro, dhe në grackën e saj ka rënë dhe vëllai i drejtorit të policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.
Mësohet se Petro prezantohej si përfaqësuese e një organizate të huaj dhe duke përdorur emrin e organizatës, mashtronte duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve u premtonte financime në projekte të mëdha ndërtimi.
Njoftimi i plotë i policisë:
Mashtronte biznesmenë, u premtonte projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj, vihet në pranga shtetasja.
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, pas marrjes së kallëzimit nga pronarë të disa bizneseve, se një shtetase, nëpërmjet mashtrimit, kishte përvetësuar fondet e tyre për përfitime personale duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate të huaj, bënë kapjen dhe ndalimin e V. P., 64 vjeçe, banuese në Tiranë.
Kjo shtetase prezantohej si përfaqësuese e një organizate të huaj dhe duke përdorur emrin e organizatës, mashtronte duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve u premtonte financime në projekte të mëdha ndërtimi.
Materialet procedurale në ngarkim të kësaj shtetaseje, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
(E.K/Faxweb.al)