Ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ftuar publikisht mjekët specialistë të interesuar të punojnë në spitalet rajonale dhe bashkiake, të paraqesin kërkesën e tyre për t’u punësuar me bonus 2.5 milionë lekë (të vjetra) mbi pagën. Pra të gjithë mjekët të cilët duan të punojnë në spitalet rajonale të vendit sipas nevojave të shtetit kanë bonus në rrogën e tyre. Sipas ministrisë së Shëndetësisë bonusi fillon nga 1 milion lekë të vjetra deri në 2.5 milionë lekë të vjetra.
Të gjithë ata që janë të interesuar duhet të bëjnë kërkesë në adresën e e-mail-it: [email protected].
NJOFIMI:
Sipas thirrjes së bërë publike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton mjekët specialistë të specialiteteve:
kirurgji
anestezi reanimacion
kardiologji
obstetrikë-gjenekologji
neurologji
pediatri
imazheri
mjekësi interne
ortopedi-traumatologji
të cilët janë të gatshëm të punojnë në spitalet rajonale apo bashkiake, për të ofruar shërbim mjekësor për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit, me të drejtë rinovimi, me kushte dhe aktivitet të përcaktuar, bazuar në vendimin e marrë për masën e bonusit deri në 250 mijë lek plus pagën e mjekut, të paraqesin kërkesën e tyre në adresën: e-mail: [email protected] brenda datës 01.02.2018.
Në mbledhjen e fundit, Qeveria shqiptare mori vendimin e rëndësishëm për të rritur pagesën e bonusit për mjekët specialistë që pranojnë të shkojnë në spitalet ku ka mungesa të mjekëve. Nga 1 milion lekë pagesë në muaj, masa e bonusit do të rritet deri në 2.5 milionë lekë të vjetra, plus rrogës, sipas specialiteteve, për të plotësuar në këtë mënyrë nevojat me mjekë specialistë dhe për të ofruar shërbimin sa më afër qytetarëve.
Nga sot, kush mjek specialist do pranojë të shkojë në spitale jashtë Tiranës, ku ka nevojë për specialistë, sipas specialiteteve do të marrë deri në 2.5 milionë lekë (të vjetra), me një shkallëzim mbi rrogë, që, kur mjeku merr përsipër të shkojë në një spital rajonal apo bashkiak në këto zona, të mund të ketë një fitim real.
Fondi i vënë në dispozicion nga Qeveria Shqiptare për këtë vit është 52 milionë lekë, për mjekët që do të japin shërbimin aty ku janë nevojat. (J.V/Faxweb)
Discussion about this post