Çorapet kanë nisur të mbahen njëlloj në çdo stinë, madje dhe ato të bardhat, duke qenë që atletet sportive kanë hyrë shumë në modë. Nuk ka rëndësi janë të gjata, apo të shkurtra, apo edhe në formë papuçesh, të gjitha kanë pjesë të poshtme e cila ngjyroset nga papastërtitë.
Nëse do bënim një sondazh për rrobat më të vështira për t’u pastruar siç duam, çorapet e bardha do ishin ndër kryesueset. Detergjentët, lavatriçja, por ndonjëherë edhe fërkimi me dorë, nuk arrijnë t’i pastrojnë siç duhet, megjithatë ka disa përbërës natyralë që arrijnë t’i kthejnë çorapet me bardhësinë e ditës së parë. Living.al ka sjellë tre mënyra të ndryshëm, për t’i pastruar çorapet me këta përbërës.
Ujë i vakët me kripë: Kjo metodë ka funksionuar dhe do të funksionojë gjithmonë për larjen e çorapeve të bardha, por edhe për veshjet intime. Sasinë e përcaktoni sipas dëshirës. Ajo që duhet të bëni është e thjeshtë, futini çorapet në një enë ku keni hedhur paraprakisht ujë dhe kripë dhe lërini aty për disa orë. Më pas mund t’i lani me dorë ose në lavatriçe me çfarëdolloj detergjenti.
Uthull rrushi të bardhë: E dimë që uthulla e kuqe apo ajo e mollës janë të preferuarat tuaja, por mesa duket uthulla prej rrushit të bardhë është aleate për larjen e çorapeve. Përgatisni një masë me 250 ml uthull rrushi të bardhë dhe 1 litër ujë të ftohtë. Shtoni brenda çorapet e palara dhe lërini për 40 minuta. Më pas kalojini në lavatriçe. Do të duken si të reja.
Sodë buke dhe limon: Soda e bukës është një produkt i gjithanshëm, por përdorimi i saj në larjen e rrobave mund të rezultojë më efektiv se vetë detergjentet larëse. Krijoni një masë me sodë buke dhe lëng limoni të freskët, raporti duhet të jetë 100 gr sodë buke me 100 ml lëng limoni. Pastën vendoseni mbi çorapet e njoma. Lërini 10 minuta të pushojnë. Theksojmë që nuk duhet të shtoni ujë. Më pas lajini në makinë larëse. Për rezultat më të fortë, shtoni 2 lugë gjelle sodë krahas ilaçit të rrobave. Do habiteni nga rezultati.