Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit janë duke shijuar ditët e fundit të pushimit përpara se sa të marrin zyrtarisht mandatin kushtetutës. Institucioni i Kuvendit të Shqipërisë po bën përgatitjen për legjislaturën e re dhe ka nisur blerjet për deputetët e rinj.
Ndër tenderat që ka hapur institucioni bie në sy riparimi dhe mbushja me sfungjer të disa kolltukëve apo edhe të 70 karrigeve në mënyrë që ligjvënësit të qëndrojnë butë gjatë miratimit të akteve. Vlera e këtij tenderi nuk bëhet publike por është përcaktuar se ai që ofron më pak, do të shpallet fitues.
Procedura tjetër prokuruese është blerja e dy automjeteve të reja, të cilat do të përdoren për delegacione parlamentare apo personalitete të larta shtetërore. Ky është edhe tenderi më i kripur për sa i përket parave.
Plotë 13.2 milionë lekë ose rreth 110 mijë euro janë parashikuar të shpenzohen për këto dy makina. Tek specifikimet teknike nënvizohet se makinat duhet të jenë tip fuoristradë me xhama të zinj./a2