Nga Indrit Vokshi
Serbia ka 24 vjet që është në humbje. Në disfatë. Ajo disfatë i ka ardhur nga Washingtoni. Ëhshtë bombarduar. I është shpallur Pavarësia e Kosovës. Është njohur Kosova nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Për serbët nuk ka disfatë më të madhe sesa kjo, pasi pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, Kosova do të mbetet në Komunitetin e Shteteve. E meritojnë ketë disfatë sepse e kanë pushtuar dhe përgjakur Kosovën. Edhe ne shqiptarët e meritojmë Kosovën shtet. Edhe Ballkani meriton qetësi e paqe.
Çdo “fitore e Serbisë”, në thonjëza, nëse do të tentojmë të gjejmë fitore brenda disfatës, kuptojeni që nuk është fitore. Ata do të jenë të detyruar të pranojnë realitetin. Nuk ka për të lënë askush vatër konflikti midis Europës.
Duhet kuptuar se rendin e sigurisë në Ballkan nuk kanë për ta formuluar e as qendisur partitë shqiptare në Kosovë. Nuk janë ato autoriteti prej ku buron rendi ballkanik, as munden ato të garantojnë rendin.
Tentativë për shtrirjen e sovranitetit? Diçka tejet e lavdërueshme. Tejkalim i këshillave amerikane? Diçka e lavdërueshme edhe kjo. Mirëpo duhet pyetur: Deri ku mundemi të shkojmë ne me fuqitë tona, duke tejkaluar këshillat amerikane? A mundemi ta mbajmë “bajrakun” pa ata?
Se fjala vjen Turqia nis operacione në Anadollin Lindor kundër kurdëve dhe nuk i je llogari askujt. Rusia nis “operacione” në Ukrainë e nuk i jep llogari askujt. A jemi ne si shqiptarë në ketë nivel fuqie? A mundet Kurti ta garantojë rendin në Mitrovicë vetëm me “fuqitë sovraniste” të Kosovës?
Nëse jo, mbi çfarë përllogaritjeje tejkalohet ShBA? Politika është racionalitet interesash. A i intereson Kosovës më mirë ta shtyjë ose ta mbajë konstante e gjendjen në Mitrovicë deri në momentin e volitshëm, apo i intereson të pësojë krisje publike me ShBA?
Në politikë e shtet, nuk veprohet me çfarë na pëlqen por me çfarë na intereson. Apo mos ndoshta duke shfrytëzuar faktin që Serbia nuk guxon të shkojë më tej, qeveria e Kosovës guxon të luajë teatër të kontrolluar në Mitrovicë?
Duhet të kemi parasysh se shqiptarëve u ka munguar gjithmonë mbështetja nga Fuqitë e Mëdha. Qysh prej Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashëri e Aziz pashë Vrioni trokisnin kancelarive europiane për pak mbështetje por askush nuk ua hapte derën. Qysh asokohe pra, ata gjykonin se garancitë ndërkombëtare janë kyçe, janë themelore për një popull të vogël. Dhe u rezultoi e drejtë: Mali i Zi mori Ulqinin me garanci ndërkombëtare. Ne mbajtëm Shkodrën falë garancive ndërkombëtare.
Ndaj nevojitet kujdes. Ne nuk e kemi luksin të dëmtojmë siguresat ndërkombëtare.