Gjykata e Tiranës, ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg me afat 40 ditë, ndaj Ilir Pajës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. “UFO”, do qëndrojë në burg deri sa të mbërrijë dosja nga Italia, e pasi gjykata të njihet me aktet e saj e me dënumit e 49-vjeçarit dhënë nga autoritetet italiane, e më pas do vendos për ekstradimin e tij.
Ilir Paja u arrestua mbrëmjen e së premtes në zonën e Laprakës nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana. I njohur ndryshe edhe me nofkën “Ufo”, 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane. Paja u kap në një lokal në zonën Laprakës, teksa mbahej nën vëzhgim të rreptë për gati 3 muaj. Agjentët kishin informacione të siguruara në rrugë operative se strehohej pikërisht në këtë zonë të kryeqytetit tek të afërm të tij.
Gjatë kësaj kohe, Njësia Operacionale mbante në vëzhgim ambientet që Ilir Paja frekuentonte, si dhe ishte vënë në përgjim për të vërtetuar nëse ishte i njëjti person ose jo. Mbajtja nën përgjim e njërit prej numrave telefonik që Paja përdorte, çoi edhe në zbulimin e vendeve ku ai qëndronte. Mësohet se 49-vjeçari përdorte dokumente të rregullta, ndërsa gjatë arrestimit i është sekuestruar dhe një shumë prej 5 mijë eurosh.
Paja ishte shpallur në kërkim pasi, Gjykata e Apelit të Milanos, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje të punonjësve të policisë, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi. Ai kishte mundur të arratisej nga Burgu i Peruxhias, duke përdorur si litarë disa çarçafë të lidhur së bashku, teksa vuante dënimin për dy vrasjet.
Discussion about this post