Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me atentatin që ndodhi dje në Durrës, ku mbeti i vrarë Edison Harizaj, dhe u plagos rëndë miku i tij Gentian Caca.
Gazetarja e Fax News Elitjona Doko ndodhet në vendin ku ka ndodhur atentati, ndërsa në drejtim të mjetit tip ‘’Audi A 8” u lëshuan dy karikatorë me fishekë, ndërsa disa prej gëzhojave ndodhen ende në vendin e ngjarjes.
Sipas burimeve autorët e kësaj ngjarjeje kanë qenë profesionistë pasi Harizaj ka marrë një plumb fatal në zonën e nofullës, ç’ka konfirmon edhe njëherë faktin se ai ka qenë shënjestra kryesore e këtij atentati mafioz.
Derimë tani janë shoqëruar në polici 14 persona që mund të kenë dijeni lidhur me ngjarjen. Në drejtim të mjetit ku udhëtonte Harizaj dhe Caca është gjuatur në të dy anët, ndërsa mendohet se në ngjarje janë përfshirë më shumë se dy mjete, një prej të cilëve u gjet i djegur më pas në zonën e Shën Vlashit.
Duket se sulmi ka qenë i mirëplanifikuar, ndaj edhe për këtë shkak goditja fatale ka ndodhur në një zonë ku nuk ka ndriçim. Caca ka marrë më shumë plumba në krahasim me Harizajn.
Kamerat e sigurisë nuk kanë mundur që të filmojnë asgjë të vlefshme lidhur me ngjarjen, që të mund të hidhte më shumë dritë lidhur me autorët.
Sipas burimeve nga Policia, pas vrasjes autorët mësohet se janë larguar të qetë nga vendngjarja, ndërsa që prej mbrëmjes së djeshme janë ngritur një sërë pikash kontrolli në të gjithë vendin.
Pistat kryesore në të cilat po hetohet lidhur me shkaqet e ngjarjes është ajo e larjes së hesapeve dhe hakmarrjes, pasi Edison Harizaj akuzohet për disa ngjarje që kanë tronditur qytetin e Vlorës, mes tyre dhe dy zhdukjet e Albano Xhaferrit dhe Elvis Troqes.
(E.K/FAXWEB.AL)