Diplomati Spartak Topollaj ka qenë i ftuar këtë të premte në emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News për të folur për ‘Ballkanin e Hapur’.
Topollaj e ka quajtuar të papranueshëm faktin që Shqipëria ulet në tryeza në Beograd, Shkup dhe Tiranë pa praninë e Kosovës.
Ai më tej e quan të rëndë si kryeministri Rama quan mik Aleksandër Vuçiç dhe përçmon kryeministrat e Kosovës.
“Do të ishte shumë e ndershme, skemi pse t’i fshehim gjërat, në pamje të parë duket një gjë shumë e mirë. Por kjo fsheh diçka tjetër. Të mungojë Kosova dhe ta pranojë këtë Shqipëria, kjo është shumë e rëndë. Të pranosh të mblidhesh, të bësh samite pa Kosovën nuk shkon. Si, qysh pse e diskutojmë. Por kjo është e papranueshme. Lehtësia e Kryeministrit tonë për të anashkaluar, mos të them për të përçmuar 3 kryeminsitrat, Haradinaj, Hoti dhe Kurti, është e papranueshme. Nga ana tjetër është mëse i dashur, mëse mik, me gëbelsin e Millosheviçit, e kasapit të ballkanit, krimineli më i madh. Ka veshur lëkurën e qengjit por a mund të besohet ai? Ne sduhet ta pranojmë këtë“, tha Topollaj.
Sa i takon krahasimit të Ramës për rastin Kosovë-Serbi të cilin e quan të ngjashëm me rastin Gjermani-Francë, diplomati nuk bie dakord. Ai thotë se në Kosovë janë përdhunuar 20 mijë gra dhe janë vrarë 13 mijë pleq e fëmijë, prandaj Serbia duhet të kërkojë falje.
“Që kjo nuk është e njëjta gjë, kjo dihet. Kosovën Serbia e ka mbajtur dhe shfrytëzuar 120 vite rresht. Nuk kanë lënë kusur pa ushtruar për ta mjel dhe vjel Kosovën. Diferenca, diskriminimi haptas i shqiptarëve në Jugosllavi ishte aq e dukshme sa edhe sot e kësaj dite që kanë kaluar 35 vite që ka vdekur Tito, dukshëm diferenca mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë ishte e tillë. Gjermania dhe Franca nuk i kanë pasur këto ndryshime negative. Politika e madhe gjermane dhe franceze, kanë të tjera përmasa dhe vizione. Nuk janë kryer atje 20 mijë përdhunime. Nuk janë vrarë atje 13.000 gra, pleq, fëmijë. Nuk janë deportuar 1 milion njerëz me dhunë. Këtu është ndryshimi. Duhet të kërkojnë falje”, theksoi ai.
(E.H/Faxweb.al)