Presidenti Ilir Meta ka thërritur në një takim urgjent kreun e SHISH Helidon Bendo, pas lajmit se kreut të PD-së Lulzim Basha i rrezikohet jeta. (lexo edhe ketu)
Kjo lëvizje e Metës vjen pas takimit që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka pasur me shoqëruesin e Lulzim Bashës, Feim Dollapi, të cilin e ka pyetur nëse duhen shtuar masat e sigurisë ndaj kreut të PD-së, pasi ka pasur indicie se ndaj tij mund të kishte ndonjë sulm.
Kujtojmë se përmes një letre që Gazmend Bardhi i ka dërguar Sandër Lleshajt, i kërkohet këtij të fundit llogari se pse ky takim ka qenë informal, dhe jashtë çdo standardi profesional.
Takimi mes Lleshajt dhe Dollapajt është kryer ditën e premte, ndërsa PD e konsideron këtë një shantazh të qartë ndaj partisë më të madhe opozitare.
Bardhi pyet Lleshajn nëse ka rrezik real për jetën e kryedemokratit, dhe në rast se kjo është e vërtetë, kjo nuk mund të varet nga një punonjës i thjeshtë i gardës.
Nëse kjo rezulton e vërtetë, kjo nuk mund të kthehet në një çështje takimesh informale, sa kohë që protokolli e kërkon qartë që duhet të ndiqen rrugët formale, dhe institucionale.
“Keni shkelur ligjin. Informacionin duhet ta dërgoni zyrtarisht në Gardë, Lleshaj ka detyrim të sqarojë mënyrën e marrjes së informacionit për rrezikun e sigurisë së kryetarit të PD. Mënyra joligjore e trajtimit të çështjes mund të përfshijë Lleshajn në një manipulim për qëllime politike.
Trajtimi joligjor përforcon dyshimin se qëllimi i vërtetë i takimit është shatazhimi i Kryetarit të opozitës. Kërkojmë informacion zyrtar mbi motivet që ju kanë shtyrë të trajtoni çështjen në shkelje flagrante të ligjit. Kërkojmë të na informoni mbi seriozitetin dhe besueshmërinë e informacionit që keni përcjellë për rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetart të opozitës”, thuhet mes të tjerave në kërkesën e PD-së për informacion ndaj Ministrisë së Brendshme.
(E.K/Faxweb.al)