Ngjarja e ndodhur sot në Rinas ku u grabitën mbi 10 milion euro si dhe mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit njëri prej autorëve ka marrë një vëmendje të madhe mediatike në vend, duke qenë se ka ndodhur në një nga vendet që supozohet të jetë më i sigurti dhe i vëzhguari (lexo këtu).
Lidhur me këtë temë, më poshtë është dhënë një pjesë e kontratës të nëshkruar midis shtetit shqiptar me firmën të cilës i është dhënë me koncesion për një afat njëzet vjeçar aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas.
Në marrëveshjen koncesionare midis qeverisë shqiptare dhe Shoqërisë Koncesionare “Tirana International Airport” (TIA) sh.p.k., parashikohet edhe çështja e sigurisë për udhëtarët por jo vetëm.
Në këtë kontratë, midis të tjerave për sa i përket sigurisë thuhet: “Në përputhje me kontratën koncesionare për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është mundësuar: Menaxhimi i aeroportit dhe shërbimeve aeroportuale nga një konsorcium ndërkombëtar; Menaxhimi i Sigurisë së Aeroportit nga kompania ndërkombëtare ICTS”.
Më poshtë një pjesë e disa pikave të kontratës:
I vetmi aeroport që funksionon në Shqipëri është Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit (TIA), “Nënë Tereza”. Aeroporti ndodhet rreth 18 km në veri-perëndim (16 km në vijë ajrore) të Tiranës. Master Plani më i fundit për zhvillimin e aeroportit u implementua në vitin 2000 dhe u shoqërua me një rehabilitim të përgjithshëm te Aeroportit “Nënë Tereza”, të shoqëruar me punime, që konsistonin në rindërtimin e pistës, zgjerim të aeroportit, instalim të sistemeve të reja të ndriçimit të pistës, pajisjet në ndihmë të afrimit dhe lundrimit si dhe pajisje meteorologjike.
Aktualisht, Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, Tiranë, me anë të ligjit nr. 9312, datë 11.11.2004, i ka kaluar juridikisht me koncesion të formës BOOT, Shoqërisë Koncesionare “Tirana International Airport” (TIA) sh.p.k. për harkun kohor 20-vjeçar. Në 23 prill 2005 Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Rinasit filloi ndërtimin dhe operimin aeroportual në bazë të Marrëveshjes se Koncesionit. Në përputhje me kontratën koncesionare për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është mundësuar : – Menaxhimi i aeroportit dhe shërbimeve aeroportuale nga një konsorcium ndërkombëtar;
– Menaxhimi i Sigurisë së Aeroportit nga kompania ndërkombëtare ICTS; – Investimi në konstruksione të reja aeroportuale dhe facilitetet e shërbimeve të parashikuara në kontratën koncesionare. Nëpërmjet politikave sektoriale dhe autoritetit, që ligji koncesionar i ka njohur Organit Shtetëror të Autorizuar (OSHA) dhe Njësisë së Zbatimit të Projektit (PIU), të koncesionit, monitorohet “ndërtimi dhe vënia në shfrytëzim e aeroportit”, në përputhje me standardet e parashikuara në kontratë dhe ato të praktikës së mirë ndërkombëtare në këtë fushë.
Monitorimi i ndërtimeve në afat dhe cilësinë e përcaktuar, si dhe kapacitetet në shërbim të shoqërisë koncesionare, realizohen duke u pasur në vëmendje minimumi i nivelit C të shërbimit, imponuar nga IATA në lidhje me trafikun e njëanshëm të shërbimit ndaj pasagjerit.
– Zbatimin e Master Planit të Menaxhimit të Trafikut Ajror Master Plani i Menaxhimit të Trafikut Ajror i miratuar me VKM Nr. 571, date 23.10.2000. është i aplikueshëm dhe në koherencë të plotë me sfidat politike afatmesme dhe afatgjata meqenëse shtrihet në një periudhe kohore 10-vjeçare. ”Objektiv i Masterplanit është gjetja e rrugëve për të modernizuar infrastrukturën e hapësirës ajrore dhe për të rritur kapacitetet e menaxhimit të hapësirës ajrore, si edhe nivelin e sigurisë ajrore
Në kuadër të zbatimit dhe të zbërthimit të objektivit të Master Planit, u kontraktua nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet autoritetit përkatës, kompania “Lockheed Martin Global Inc”, për të kryer Studimin e Fizibilitetit për Projektin e Hapësirës Ajrore Kombëtare (NAMP). Studimi rekomandoi, kontraktimin e një furnizuesi të huaj, për sistemet në menaxhimin e trafikut ajror. Ky furnizues do të ndihmonte RSH, për të siguruar financimin tregtar të nevojshëm dhe implementimin e modernizimit të projektit.
Aktualisht kompania “Lockheed Martin Global Inc”, është subjekti, i cili vepron me cilësinë furnizuesit të huaj në bazë të Kontratës, që është miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.665, datë 18.12.2002. Ai jep asistencë për mallrat dhe shërbimet, të cilat do të modernizojnë Menaxhimin e Trafikut Ajror Shqiptar. Projekti monitorohet, në mënyrë që, ai të realizojë objektivat e parashikuar në Kontratë dhe në Master Planin e Trafikut Ajror. Modernizimi i shërbimit të trafikut ajror, si objektiv i politikës sektoriale të transportit ajror synon:
I. Modernizimin e shërbimeve dhe të logjistikës mbështetëse;
II. Organizimin institucional në përputhje me rekomandimet e KE;
III. Standardizimin e veprimtarisë në përshtatje me praktikat unifikuese Evropiane. Në kuadër të punës për zbatimin e këtyre politikave, synohet integrimi në standarde i subjekteve, që kryejnë veprimtarinë e menaxhimit të trafikut ajror. Kjo realizohet në vijim dhe në përputhje me kërkesat e imponuara nga anëtarësia e RSH ne Eurokontroll, İCAO, ECAC, si dhe në zbatim të detyrimeve në Marrëveshjen Shumëpalëshe, ratifikuar me ligjin nr.9658, date 18.12.2006. J
anë miratuar Kërkesat Rregullative të Eurokontrollit. Këto akte standardizojnë e unifikojnë praktikat e veprimtarisë së menaxhimit të trafikut ajror. Imponim ligjor i Marrëveshjes Shumëpalëshe, të ratifikuar me ligjin nr.9658, datë 18.12.2006, është edhe organizimi institucional i subjekteve, të cilat do të monitorojnë veprimtarinë e menaxhimit të trafikut ajror. Kjo detyrë është në proces përshtatjeje për zbatim.
(F.GJ/FAXWEB.AL)