Ditën e djeshme, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet në drejtim të kryebashkiakut të Librazhdit Kastriot Gurra, duke i kërkuar KQZ-së formularin e tij të dekriminalizimit.
Kërkesa është bërë ditën e premte ndërsa po të njëjtën ditë është depozituar nga KQZ-ja dosja e Gurrës ku përfshihet edhe formulari i dekriminalizimit.
Fax news mëson detaje të reja lidhur me personin që është ankuar për Gurrën, dhe që ka vënë në lëvizje dhe organin e akuzës.
Ai është pikërisht përgjegjësi i auditimit të brendshëm në Bashkinë e Librazhdit Rexhep Hana, për të cilin më herët, Gurra kishte ngritur një padi për shpërdorim detyre parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe “Përvetësim i titullit, apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal.
Në shenjë hakmarrjeje, Hana brenda ditës ka paditur Gurrën për “deklarim të rremë të formularit të dekriminalizimit depozituar në institucionet përkatëse” duke zbuluar se më 2008-ën ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për procedimin penal nr.944, vepra penale “Fallsifikim i vulave i stampave ose formularëve, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, neni 188 Kodi Procedurës Penale”.
Madje Hana kallëzimin e tij ndaj kryebashkiakut Gurra ia ka drejtuar dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë duke kërkuar ndjekjen e këtij kallëzimi.
I mbetet Prokurorisë tashmë që të hetojë rastin, që mund të pasohet dhe me shkarkimin e Gurrës.
Por çfarë ka deklaruar Gurra në këtë formular?
Në dokumentin e mëposhtëm po ti hedhësh një sy, rezulton se nga ajo çfarë ka deklaruar kryebashkiaku (në atë kohë kur e ka shkruajtur, kandidat për drejtimin e Librazhdit nga radhët e Partisë Socialiste), nuk ka diçka e cila të lë përshtypjen për të ngritur dyshime.
Ai ka deklaruar se nuk ka ndryshuar asnjëherë emrin dhe gjeneralitete të tjera, nuk është ndaluar apo proceduar penalisht, nuk ka shkelur ligjet në ndonjë shtet tjetër, nuk është dëbuar nga ndonjë shtet për cilëndo arsye, nuk është dënuar asnjëherë me burgim apo me ndonjë masë tjetër shtrënguese.
Duke marrë parasysh nga ana tjetër se në ‘rrjetën’ e dekriminalizimit kanë rënë disa kryebashkiakë të PS-së, pas denoncimeve të Partisë Demokratike, shtuar kësaj faktin se kjo e fundit ka paralajmëruar nxjerrjen e të tjerë emrave që kanë të kaluar kriminale, precedent penal apo gjëra të këtij lloji, kjo lëvizje ndaj kryebashkiakut të Librazhdit apo e socialistëve në tërësi mund të jetë një masë për t’iu paraprirë denoncimeve vijuese të opozitës.
Emrat e denoncuar deri tani nga Partia Demokratike janë; Valdrin Pjetri i Shkodrës që u largua, Agim Kajmaku i Vorës po ashtu u largua, Mark Babani i Vaut të Dejës, Agron Malaj i Matit dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.
(E.K/Faxweb.al)